Rama takim me pedagogë e mësues në Gjirokastër: Reforma e Arsimit të Lartë në përpjetë

08/04/2021 19:59

Në një bashkëbisedim me pedagogë dhe mësues të Universitetit “Eqerem Cabej”, Kryeministri Rama ka theksuar se qeveria e PS ka bërë një reformë në arsim kurajoze, por ajo është ende në përpjetë.

Kryeministri ka zbuluar edhe disa objektiva për arsimin parauniversitar, siç është fuqizimi më tepër i rolit dhe nivelit të kompetencës së drejtorëve të shkollave.

Rama: Sot janë mbi 11 mijë që kanë përfituar nga mundësia e re për të hyrë në sistem përmes meritës. Falë portalit për mësues. Një portal, rrugë konkurruese. Sigurisht ka plot dëshmitarë edhe në arsimin e lartë, jemi në rrugë që vazhdon, dhe reforma në arsimin e lartë është ende një e përpjetë. Patjetër që ka edhe shumë arsye për të besuar që rruga është e duhura. Drejtimi është i duhuri. Nuk na mbetet vetëm të ecim në drejtimin e përcaktuar. Unë do të doja të thosha që nëse do të bënim një krahasim mes arsimit para universitar dhe universitarit. Në parauniversitari jemi më të avancuar për objektivat dhe jetësimin e planit të transformimit. Kemi disa arritje shumë të prekshme, dhe të dhëna inkurajuese. Megjithëse prapë së prarë gjëra për t’u bërë nuk janë pak.

Ndërkohë që në arsimin universitar kemi bërë një reformë kurajoze, kemi zgjeruar autonominë, krijuar disa kushte për studentët e pedagogët. Jemi para një sfide shumë komplekse. Duhet ta konsiderojmë si një detyrë të gjithë bashkë për ta përballuar pa i bërë bisht e pa e shtyrë në kohë. Çdo shtyrje është kosto për të rejat dhe të rinjtë që hyjnë në universitet, e pastaj ngelen në periferi ose jashtë tregut të punës.

Në arsimin parauniversitar duhet të fuqizojmë më tepër kompetencën, të drejtorit të shkollave. Nëse me mësuesit kemi avancuar ndjeshëm, me drejtorët jemi në proces. Është e qartë që në figurën e drejtuesit të një shkolle duhet të kërkojmë më shumë angazhim, në sensin e rritjes së kapacitetit menaxherial të një shkolle.
Duam shumë që t’i japim jetë dy programeve të reja, në sistemin tonë parauniversitar në radhë të parë, një programi të madh kombëtar për sportin, dhe një tjetër për artet dhe zejet. Që të krijojmë sa më shumë mundësi.

Top Channel