Inter nuk shkëlqen, por vijon të fitojë dhe të thellojë diferencën me ndjekëset, pasi tani e sheh veten plot 11 pikë larg Milanit të vendit të dytë. Në sfidën e prapambetur nga java e 27, zikaltrit mposhtën Sassuolon me shifrat 2-1 në “San Siro’, duke regjistruar kështu fitoren e 10 radhazi, ose të gjithë ndeshjet e luajtura në fazën e dytë.

Edhe këtë 90-minutësh në “San Siro”, skuadra e Contes u rreshtua mirë mbrapa dhe i besoi daljes së shpejtë në kundërsulm, ku pasi kërcënoi me Hakimin, gjeti avantazhin me Romelu Lukakun në minutën e 10’. Pas një daljeje të bukur nga krahu i majtë i sulmit, Young hodhi një krosim të saktë në zonë, aty ku Lukaku i vodhi kohën rumunit Chiriches dhe dërgoi topin në rrjetë, duke shënuar golin e 21-të sezonal dhe të parin me kokë.

Në minutën e 67’, menjëherë pas një aksioni të rrezikshëm të Sassuolos, zikaltrit zbritën shpejt në kundërsulm dhe Lukaku shërbeu për Lautaro Martinez, që nuk e pati të vështirë të shënojë edhe golin e dytë. Sassuolo provoi të reagojë dhe rihapi takimin me anë të Traore në minutën e 85-të, ndërsa deri në fund Interi shpërdoroi dy mundësi flagrante me Sanchez e Hakimin dhe shënoi edhe një gol të tretë me Lukakun, por që u anulua për pozicion jashtë loje.

Reagon mjaft mirë edhe Juventus, që pas dy ndeshjeve radhazi pa fitore, ia doli të triumfojë me rezultatin 2-1 përballë Napolit në ndeshjen e prapambetur nga java e tretë e kampionatit. Në një kohë kur e ardhmja e Andrea Pirlos ishte vënë në dyshim serioz dhe mediat italiane kishin nisur aludimet për pasuesin e tij, bardhezinjtë ia dolën të marrin një 3-pikësh mjaft të vlefshëm në ndeshjen direkte për një vend në katërshe ndaj Napolit.

Cristiano Ronaldo në pjesën e parë dhe Paulo Dybala në të dytën shënuan për bardhezinjtë, ndërsa Napoli rihapi ndeshjen me Lorenzo Insignen, që ekzekutoi saktë një 11-metërsh në minutën e 90’, por nuk kishte më kohë për të shmangur humbjen. Me këtë fitore Juventusi ngjitet përkohësisht në vendin e tretë me 59 pikë, një më tepër se Atalanta dhe tre më shumë se Napoli, me të cilat do të duelojë deri në fund për një vend në zonën Champions.

Top Channel