Mpiksjet e gjakut dhe vaksinat/ Eksperti: Lidhja ekziston, por nuk e dimë shkakun

06/04/2021 15:00

Një zyrtar i lartë i agjencisë evropiane të ilaçeve, EMA, thotë për një të përditshme italiane se është e qartë se ka një lidhje mes vaksinës së AstraZeneca-s dhe një forme të rrallë mpiksjeje gjaku, por shkaku nuk është ende i ditur.

Në opinionin tim, ne mund ta themi tani, që ka një lidhje të qartë me vaksinën. Por, ende nuk e dimë se çfarë e shkakton këtë reagim”, tha shefi i vaksinave në EMA, Marco Cavaleri për të përditshmen italiane “il Messaggero”.

Zyrtari thotë se agjencia evropiane e ilaçeve madje do të bëjë një deklaratë për çështjen në vijim. Javën e kaluar, EMA tha se priste të lëshonte rekomandime të update-uara për vaksinën gjatë një takimi të komitetit të saj të sigurisë që nis sot dhe vazhdon deri të premten.

Gjermania, Italia, Franca, Spanja dhe Holanda, kanë kufizuar së fundmi vaksinimet me astrazeneca-n tek grupe më të moshuara në pritje të hetimit të EMA-s ndërkohë që raportet nga Britania e Madhe të hënën sugjeronin se agjencia vendase e ilaçeve po merrte në konsideratë një kufizim të tillë dhe do të lëshonte një njoftim së shpejti.

Zyrtarët thanë se nuk ishte marrë asnjë vendim dhe i kërkuan njerëzve të vazhdonin të vaksinoheshin. Neil Ferguson, nga Imperial College London, tha për BBC se mpiksjet e gjakut kishin ngritur pikëpyetje nëse të rinjtë duhet ta marrin apo jo vaksinën. Duket, sipas tij, se rreziku është i lidhur me moshën, por të dhënat nuk janë të mjaftueshme për të dalë në përfundime.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA