Kompania ruse që planifikonte të niste turistë në hapësirë nga kozmodromi i parë privat i vendit, ka anulluar projektin dhe do të mbyllet përfundimisht.
Grupi Kosmokurs tha se po mbyll operacionet për arsye të “vështirësive të pakapërcyeshme” në koordinimin me autoritetet lokale, si dhe me “pengesat në marrjen e dokumenteve të nevojshme rregullatore nga ministria e mbrojtjes” për dizajnin e raketës turistike nën-orbitale, njoftoi kreu i kompanisë Pavel Pushkin, raporton agjencia ruse RIA Novosti.
Pushkin ka financuar korporatën private hapësinore private prej vitit 2014 pasi u frymëzua nga suksesi i kompanive homologe amerikane si SpaceX, e miliarderit Elon Musk, apo Blue Origin, e financiuar nga kreu i Amazon, Jeff Bezos.
Agjencia shtetërore hapësinore ruse Roscosmos kishte aprovuar në vitin 2017 planin ambicioz të Kosmokurs për të dërguar turistë deri në vitin 2025. Roscosmos tanimë kërkon të marrë në punë rreth 50 punonjes që Kosmokurs po lë pas.
Kosmokurs planifikonte të dërgonte turistët në hapësirë për afro pesë minuta në zero gravitet, për $200,000 deri në $250,000, me rreth 115 lëshime ku do të fluturonin rreth 700 civilë në vit, kryesisht të huaj.
Pushkin kishte në plan të krijonte një raketë për një fluturim të vetëm me aftësi ri-uljeje në tokë, për fluturimet turistike nën-orbitale.
Kompania do të ndërtonte kozmodromin e saj në Nizhny Novgorod me fundin e ndërtimit të planifikuar 2025, por me prishjen e planeve aktuale nuk dihet destinacioni i tyre i ardhshem.
Top Channel