Pamjet, të postuara në internet të shtunën tregojnë një grup grash të zhveshura që fotografohen në ballkonin e një prej ndërtesave të larta në Dubai.
Njëmbëdhjetë gra ukrainase janë arrestuar, i tha konsullata ukrainase BBC-së. Një rus u arrestua gjithashtu, sipas mediave ruse. Veprime të tilla në publik, dënohen deri në gjashtë muaj burg dhe një gjobë prej 5,000 dirham (981 £).
Shumë nga ligjet e Emirateve të Bashkuara Arabe bazohen në ligjin e Sheriatit dhe njerëzit janë burgosur në të kaluarën për shfaqje publike të dashurisë dhe marrëdhënieve homoseksuale.
Policia në Dubai paralajmëroi se kushdo që boton materiale pornografike ose ndonjë material që “mund të paragjykojë moralin publik” përballet me burgim dhe gjobitje. “Sjellje të tilla të papranueshme nuk pasqyrojnë vlerat dhe etikën e shoqërisë Emirate”, tha një deklaratë e policisë.
Çdo person që jeton ose viziton Emiratet e Bashkuara Arabe u nënshtrohet ligjeve të saj: nuk ka përjashtime për turistët.
Ka pasur disa raste të turistëve që arrestohen ndërsa ishin me pushime në Dubai. Në vitin 2017, një grua britanike u dënua me një vit burg për marrëdhënie seksuale me një burrë me të cilin nuk ishte martuar. Marrëdhënia doli në dritë kur gruaja e raportoi tek autoritetet pasi kishte marrë disa mesazhe kërcënuese.
Top Channel