Greqi, hapen dyqanet me pakicë/ Qeveria vendosi që të lehtësojë masat kufizuese

06/04/2021 02:07

Dyqanet me pakicë – përveç atyre në qendrat tregtare kanë hapur dyert në pjesën më të madhe të Greqisë pas disa muajsh të një mbylljeje të përgjithshme të vendit, megjithëse ka një rritje të vazhdueshme të infeksioneve me COVID-19.

Vendimi për të lehtësuar disi masat kufizuese , i marrë nga qeveria pas këshillimit me ekspertët nuk ka qenë aspak i lehtë,po i domosdoshëm pasi vendi lufton për të dalë nga një recesion edhe më i thellë se ai i krizës ekonomike para një dekade.

‘Ishim të mbyllur dy muajt e fundit dhe gjithashtu para Krishtlindjeve, është e vështirë për sipërmarrësit dhe shitjen me pakicë në përgjithësi. Jemi të lumtur sot që jemi të hapur, dhe besojmë se klientët do të përgjigjen dhe do të vijnë’- tha Irini Spirilioti, pronare dyqani.

Në radhë të gjata dhe me takime ëe mbyllura me anë të telefonit duke respektuar rregullat e reja, qytetarët kanë kryer blerjet e para në kryeqytet. Por qeveria është përballur me protestën e tregtarëve të biznesit të vogël në Selanik, Patra dhe Kozan ku në momentin e fundit është dhënë urdhër të mos hapen dyqanet për shkak të frikës nga një rritje serioze e numrit të të prekurve.

Lockdowni më i gjatë në Europë ka shkaktuar presion mbi ekonominë greke që është tkurrur me 8.2% në vitin e kaluar, ndërsa edhe borxhi kombëtar është rritur në mbi 200% të PBB.

Autoritetet shëndetësore raportuan përsëri në 24 orët e fundit rekord të intubuarish, 759 , gati 1,900 infeksione të reja, por dhe numër të lartë viktimash, 73 dhe numri i vdekjeve nga koronavirusi në vend ka shkuar në 8.453. Ndërkohë rreth 1.9 milion qytetare janë vaksinuar, prej të cilëve rreth 670.000 edhe me dozën e dytë.

Top Channel