Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ndodhet në qytetin e Koplikut.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Basha falënderoi për mbështetjen që po i japin ndryshimit që sipas tij do të vuloset më 25 prill dhe largimin e një qeverie dhe një grushti njerëzish që i kanë kthyer pasuritë e Malësisë dhe Shqipërisë në pasuri private, për veten e tyre dhe një grushti njerëzish.
“Mirë se ju gjej vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj e në veçanti përshëndetje ju djem dhe vajza të Malësisë së Madhe, krenaria e Shkodrës dhe e mbarë Shqipërisë faleminderit për këtë mikpritje. Në këto 30 vite vendi ynë është përballur me sfida të mëdha. Shpeshherë politika i ka ndarë njerëzit dhe zgjedhjet kanë qenë ato që kanë përcaktuar të ardhmen afatshkurtër dhe afatgjate. Por kurrë më parë nuk kanë qenë shqiptarët kaq të bashkuar si sot. Një njeri i vetëm që ka 8 vite që e mban peng vendin, një njeri që i ka shndërruar bukuritë e mahnitshme të Malësisë së Madhe, të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë pasuri private për veten e vet dhe një grusht njerëzish. Një njeri që e bëri politikën fjalë të pisët sepse erdhi me premtime të mëdha dhe me paturpësinë më të madhe i braktisi ata.
Kjo do të mbahet mend si fushata e parë dhe zotohem e fundit kur kryeministri u kthye në satelit të kryeministrit të ardhshëm. Për t’u thënë të gjithë banorëve të Malësisë së Madhe, Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë se nuk iu shpjegon dot pensionistëve pse i gënjeu këto 8 vite. Në vend që t’i rriste pensionet siç premtoi, i la në mëshirë të fatit. Nuk u shpjegon dot. Nuk ka asnjë fjalë për t’u shpjeguar studentëve të cilët i degdisi në sistemin më të falimentuar universitar, me ligjin më primitiv të arsimit të lartë dhe me zero mbështetje financiare. Nuk ka si të dalë përpara fermerëve të cilëve u premtoi mrekullira por u hoqi edhe subvencionet që merrnin dhe ndërkohe i zhyti në varfëri me çmimet më të larta të naftës dhe të energjisë dhe duke i mbytur me prodhime importi që mbushin xhepat e tij dhe të klientëve të tij. Nuk del dot para çifteve të reja, para të papunëve, para biznesit të vogël, para fasonëve, para minatorëve dhe naftëtarëve, para punonjësve të turizmit sepse ka dështuar në çdo fushë. Koha e tij ka mbaruar dhe sot e di Malësia e Madhe, e di Shkodra, e di gjithë Shqipëria. Me përgjegjësinë dhe votën tuaj një ditë e re lind për shqiptarët dhe Shqipërisë. Një ditë e politikës së përgjegjshme, e vendimmarrjes që ndihmon dhe nuk pengon mirëqenien e qytetarëve. E vendimmarrjes dhe e panit ballë punës që do të fus ekonominë shqiptare në shinat e zhvillimit, që do ta afrojë Shqipërinë me Europën , ashtu siç hoqëm vizat, do ta bëj anëtare të Bashkimit Europian!
Një ekonomi që zhvillohet do të sigurojë vende pune, do të sigurojë paga më të mira që rinia e Malësisë së Madhe të ketë mundësinë të punësohet këtu, të arsimohet këtu me paga dinjitoze, në vatrën e saj, pranë prindërve të tyre, në këtë pellg të prodhimtarisë, punës, mirëqenies, krenarisë kombëtare e cila krenohet për produktet e saj bio, të cilat nesër nuk do të jenë thjesht krenari kombëtare por burim mirëqenieje. Jam shumë i lumtur që ndodhem sot mes jush, jo thjesht dhe vetëm për t’ju thënë bashkohuni për ndryshim që Malësia të fitojë, Shqipëria të fitojë! Me këtë bashkim ju e keni treguar shumë më parë drejtë fitores tonë të drejt, fitores së Shqipërisë do t’i prini me votën tuaj më 25 prill! Sot do të keni nënshkrimin tim, kontratën time për një nga aktivitetet kryesore të cilat do të rikthejë punësim, mirëqenie dhe para në xhepat tuaj dhe të gjithë banorëve të kësaj zone që ka të bëjë me bimët medicinale. Ndryshimi ka ardhur, e prek kudo ku shkoj, ja kështu siç jeni mbledhur vajza, gra, zonja, motra, djem , baballarë, gjyshër, pensionist, këtu në qendër të Koplikut. Kështu po mblidhen shqiptarët kudo sepse vendimi është marrë dhe më 25 prill i vënë vulën! Ndryshimi do të vij me votën tuaj! Ju lutem mbani maskat, mbani largësinë, se deri tani kemi vetëm Zotin dhe fatin tonë, pas 25 prillit do kemi dhe qeverinë që do të bëjë gjithçka për të shporrur pandeminë pasi të jetë larguar pandeminë 8 vjeçare! Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja! Uroj gjithë besimtarët katolik paçin një pashkë të bekuar!” – tha Basha.
Top Channel