SHBA mbështetje të plotë për Mbretin e Jordanisë, Abdullah II

04/04/2021 09:36

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se po ndjekin nga afër zhvillimet në Jordani dhe se “Mbreti Abdullah është një partner kyç i SHBA-së dhe ka mbështetjen tonë të plotë”.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price dha një deklaratë me shkrim lidhur me ndalimin për arsye “sigurie” të disa personave të nivelit të lartë në Jordani, përfshirë edhe ish-princin e kurorës Hamzah bin Al-Hussein.

“Po ndjekim nga afër zhvillimet në Jordani dhe jemi në kontakt me zyrtarët jordanezë. Mbreti Abdullah është një partner kyç i SHBA-së dhe ka mbështetjen tonë të plotë”, deklaroi Price.

Pas ndalimit për arsye “sigurie” të disa personave të nivelit të lartë në vend, avokati i Hamzah bin Al-Hussein vëllai i Mbretit Abdullah II dërgoi një video mesazh BBC-së.

Hamzah bin Al-Hussein në videon e regjistruar deklaroi se është vendosur nën arrest shtëpiak dhe akuzoi qeverinë për korrupsion dhe paaftësi.

Gazeta “Washington Post” kishte pretenduar se në Jordani ishin arrestuar 20 persona me “arsyetimin se përbëjnë kërcënim për stabilitetin e vendit dhe se princi Hamzah bin Al-Hussein vëllai i Mbretit Abdullah II po mbahet nën vëzhgim në shtëpinë e tij në Aman”.

Shefi i shtabit të Jordanisë, major gjenerali Yousef Huneiti ka thënë se Hamzah bin Al-Hussein nuk është ndaluar por se nga ai është kërkuar që të ndalë aktivitetet e tij të cilat mund të dëmtojnë sigurinë e vendit.

Princi bin Al-Hussein ka qenë princi i kurorës gjatë viteve 1999-2004 por më pas në këtë post kaloi Hussein bin Abdullah djali i madh i Mbretit Abdullah II./AA/

Top Channel