Papa: Vaksina për të varfrit/ Apeli i Atit të Shenjtë në ditën e Pashkës katolike 

04/04/2021 10:46

Pandemia zuri vend kryesor në mesazhin e sivjetshëm të Papa Franceskut, drejtuar qytetit dhe rruzullit tokësor.

Pandemia i ka pllakosur edhe këto Pashkë, e kreu i Selisë së Shenjtë nuk kishte se si i mbyllte sytë përpara saj. Papa bëri thirrje të shpejtohet procesi i shpërndarjes se vaksinave anti-covid, sidomos në vendet e varfra.

Papa: “Të gjithë, e sidomos ata më të cënueshmit mes nesh, kanë nevojë për ndihmë dhe kanë gjithashtu të drejtën e qasjes ndaj kujdesit të nevojshëm shëndetësor. Kjo po bëhet gjithmonë e më e dukshme në këto kohë kur të gjithëve ne na duhet të luftojmë me pandeminë. Në këtë luftë, vaksinat janë një mjet esencial. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtarn në frymën e përgjegjësisë globale, të angazhohen për kapërcimin e vonesave dhe lehtësimin e shpërndarjes së tyre, vecanërisht ne vendet më të varfra.”

Koronavirusi bëri që për të dytin vit radhazi, shërbesa papnore e pashkëve të mbaheshin me një prani të reduktuar njerëzish në bazilikën e Shën Pjetrit, në vend të turmave gjigande që ishim mësuar të shihnim përherë brenda kishës apo në sheshin përpara saj. Mesazhin e tij Papa e përcolli pasi mbajti meshën e Pashkëve. Ai kujtoi sesi pavarësisht Covidit, konfliktet e armatosura nuk kanë reshtur, e kjo tha kreu i kishës katolike është skandaloze. Liturgjia u zhvillua në respektim të plotë të rregullave kundër koronavirusit.

Top Channel