Ndonëse ka hequr dorë nga titulli kampion, Liverpool nuk mund të bëjë të njëjtën gjë edhe me zonën Champions, ndaj reagoi në mënyrë perfekte dhe triumfoi me rezultatin e pastër 0-3 në transfertën ndaj Arsenalit.

Në sfidën e parë pas ndërprerjes në favor të kombëtareve, të besuarit e Jurgen Klopp ia dolën të marrin një fitore mjaft të rëndësishme, që i ngjit në vendin e 5-të me 49 pikë, vetëm dy më pak se Chelsea i vendit të katërt.

Liverpool e nisi vrullshëm ndeshjen dhe krijoi disa mundësi shënimi, por forma e mirë e gjermanit Leno dhe në disa momente mungesa e fatit, bëri që pjesa e parë të mbyllej në barazim pa gola. Sfida u zhbllokua vetëm në minutën e 64-t, kur pas një pasimi të Alexander-Arnold, ishte portugezi Diogo Jota që dërgoi topin në rrjetë, ndërsa 4 minuta më vonë shënoi edhe Mohamed Salah, duke u dhënë qetësinë “the reds”.

Për të mbyllur llogaritë e ndeshjes mendoi sërish portugezi Jota, që shënoi edhe golin e tretë në minutën e 82-të, pas një asisti të bukur të Sadio Mane, ndërsa Arsenali tregoi sërish limite dhe konfirmoi se është ende larg të luajturit si e barabartë në nivele të tilla.

Me humbjen e sotme Arsenali heq dorë përfundimisht nga pretendimet për një vend në Europë, ndërsa gara për zonën Champions bëhet shumë interesante, pasi momentalisht janë plot 5 skuadra që do të garojnë për një vend.

Top Channel