Evente me pasaportë vaksinimi/ Përpjekje për rikthimin e sigurt të britanikëve në ndeshje, ngjarje muzikore dhe klubet e natës

04/04/2021 22:21

Qeveria e Boris Johnson do të pilotojë disa evente përfshi edhe përdorimin e pasaportave të Covidit për të mundësuar rikthimin e sigurt të britanikëve në ndeshjet sportive, eventet muzikore dhe klubet e natës. Në bazë të planeve pilot që fillojnë këtë muaj dhe që do të njoftohen të hënën nga Boris Johnson, të ashtuquajturat pasaportat e vaksinave do demostrojnë nëse një person është i vaksinuar, ka pasur një tampon negativ apo ka krijuar imunitetin natyral.

Ndër eventet pilot do të jenë finalja e Kupës së Anglisë në futboll në Uembli, ndërkohë provat në evente të tjera të hapura dhe të mbyllura do bëhen edhe një diskotekë nate me 3 mijë vetë në Liverpul, konferenca biznesi dhe shfaqje nëpër kinema dhe evente muzikore të cilat do zgjasin deri në mes të muajit maj.

Ndërkohë më 17 maj mendohet se Britania do lejojë pasivisht udhëtimet ndërkombëtare dhe pushimet do lejohen sipas sistemeve të dritave të trafikut në varësi të shkallës së infektimeve, vaksinimit masiv të popullsive dhe ekzistencës ose jo të varianteve të reja të covidit dhe aftësisë për zbulimin e tyre nga vendet respektive.

Mendohet se pjesa më e madhe e destinacioneve evropiane për shkak të valës aktuale të pandemisë do të jenë të pamundura me përjashtim të një numër vendesh që kanë infektime të ulëta dhe vaksinime të larta të popullsisë.

Britania të shtunën pati vetëm 10 vdekje nga Covidi, shifër kjo e njëjtë me atë në mes të shtatorit të vitit të kaluar, ndërkohë që infektimet janë në nivele shumë të ulta për shkak edhe të vaksinimit masiv të popullsisë e cila shkon në rreth 60 për qind të popullsisë e krahasuar me afro 14 përqind në vendet e BE.

Mbetet të shihet nëse do të hiqen apo jo kufizimet e Britanisë për të udhëtuar në Shqipëri, ndërkohë që ka më pak arsye që Shqipëria të bllokojë fluturimet direkte me Londrën, kur ndryshe nga shumë ato vende të BE me të cilat Tirana ka lidhje direkte ajrore, Britania është më pak e infektuar dhe më shumë e vaksinuar se ato vende, por ende vazhdon të jetë e bllokuar për mijëra shqiptarë të Britanisë që detyrohen të mos udhëtojnë drejt vendlindjes, edhe pse përbëjnë më pak rrezik për përhapjen e virusit, pasi shumica janë të vaksinuar dhe imunizuar.

Top Channel