Fidel Ylli ka folur për zgjedhjet e 25 prillit duke thënë se nuk do të bëjë premtime të parealizueshme, ndërsa shtoi se premtimi i vetëm që i ka bërë zonës së Vorës është për dritat.

Në emisionin “Top Talk” nga gazetari Denis Dyrnjaja, Ylli tha se këtë premtim ia ka bërë kryeministri, ndaj ia ka thënë banorëve të zonës së Vorës, në të kundërt nuk do të bënte premtime që “nuk ka këllqe ti mbajë”.

Ylli: Unë kam qenë këto tre mandate në zona rurale. Dhe këtu në zonën e Vorës ka probleme me ujin e dritat, por nuk i bëj premtime që nuk kam këllqe ti mbaj sepse data 25 erdhi dhe 3 javë, por pas 25 nuk ke fytyrë të shkosh nëse nuk jua mban premtimet. Unë i kam bërë zonës time një premtim, i kam thënë do t’ju bëj dritat dhe këtë premtim ma ka bërë kryeministri dhe i thashë nëse ai do më gënjejë, jam i detyruar t’ju gënjej edhe unë.

Por për fat, kryeministri që në fillim të herës, në bashkinë e Vorës solli 20 kv. Pra, e gjithë zona në rast se sot fryn një erë në Durrës, zona ku unë kryej të gjitha takimet, zona e Vorës, e Bërxullit, e Domjes nuk kanë drita nga 6 orë.

Për fat të keq, zonën e Vorës ia lamë LSI. Që do të thotë, bashkinë e kishte katër mandate PD.

Dyrnjaja: Prapë e ka fajin opozita?

Ylli: Nuk është se e ka fajin dhe unë mbaj përgjegjësitë e mia dhe kryeministri që në fillim kur ka vajtur në Vorë, i ka kërkuar ndjesë banorëve të Vorës dhe i ka thënë që 8 vjet, e kemi pasur në vëmendje, por jo aq sa duhet dhe për këtë arsye kam ndërruar të gjithë shtabin elektoral që nga kryetarët e bashkisë, të partisë, deputetë dhe ka filluar investimi me 20 kv.

Sa i përket procesit të vaksinimit, Ylli tha se motoja e PS është jeta dhe shëndeti i qytatarëve, ndaj pritet që në qershor të jenë 500 mijë qytetarë të vaksinuar.

Ylli: Në qershor do të kemi 500 mijë qytetarë të vaksinuar. Pra gara jonë është vaksinimi i njerëzve, ndërsa Basha do t’i infektojë me ato mitingje që bën. Qoftë vaksinat kineze që erdhën nëpërmjet Turqisë, është meritë e kryeministrit të Shqipërisë, qoftë Pfizer janë mendja e kryeministrit që vajti kohë përpara. Moto jonë kryesore është jeta dhe shëndeti i qytetarëve tanë. Ne kemi synim të hapim turizmin e hotelet. Kjo është politika e Edi Ramës.

Top Channel