Kosova ka vendosur që të mos e shfrytëzojë mundësinë e vaksinimit të stafit shëndetësor me njëmbëdhjetë mijë dozat e ofruara nga Shqipëria.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një përgjigje për Top Channel ka thënë vaksinimi i tyre po bëhet në Kosovë, për shkak të nevojës emergjente të vaksinimit.

Por, në vend të stafit shëndetësor, Vitia thotë se ka kërkuar nga homologia shqiptare, vaksinimin e ndonjë kategorie tjetër.

Në momentin që kemi pranuar 24 mijë dozat e para të AstraZenecas, e kam njoftuar homologen Ogerta Manastirliu se stafi mjekësor do të vaksinohet me këto vaksina në Kosovë, kjo për shkak të nevojës emergjente për vaksinimin e tyre.

Si rrjedhojë, kam kontaktuar Ministren Manastirliu për mundësinë që 11 mijë dozat e ofruara nga Shqipëria të shfrytëzohen për vaksinimin e ndonjë kategorie tjetër. Jemi duke u koordinuar bashkë dhe në momentin e parë kur kemi diçka konkrete do të njoftohet publiku.

Me këtë strategji nuk po pajtohet Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla.
Syla tregon se deri tani dozën e parë të vaksinës në Kukës e kanë marrë 500 mjekë.

Top Channel