Bashkimi Europian vlerëson se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Brukseli ka sjellë një “ndryshim real në jetën dhe mirëqenien e qytetarëve në rajon”.
BE-ja tani mendon se ka ardhur koha që procesi të përmbyllet me sukses, përmes arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit, ligjërisht detyruese, e cila të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë.
Këto vlerësime i ka shprehur një zëdhënës i BE-së duke u përgjigjur pyetjeve të Radio Europa e Lirë rreth mundësisë së vazhdimit të dialogut dhe parimeve të paraqitura së fundi nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Përparim Kryeziu, zëdhënës i qeverisë së Kosovës, theksoi se Albin Kurti, sa i takon dialogut me Serbinë, tashmë e ka shprehur qëndrimin e tij, i cili vazhdon të jetë i pandryshuar.
“E para, duhet të pranohet realiteti i Kosovës së pavarur. Pra, nuk mund të kthehemi para pavarësisë së vitit 2008. E dyta, duhet të pranohet e vërteta. Serbia ka kryer genocid në Kosovë dhe duhet të pranojë krimet që ka bërë. E treta, duhet të ulemi të barabartë. Kosova nuk mund të jetë temë diskutimi, por duhet të jetë palë e barabartë në diskutim. E katërta, duhet që nga dialogu dhe nga marrëveshja finale të përfitojnë qytetarët”, ishte komenti i tij.
BE-ja deri tani nuk ka bërë referime direkte ndaj qëndrimeve të Kurtit, por ka thënë vetëm se ajo dhe shtetet anëtare presin që dialogu të vazhdojë së shpejti dhe të shohin qeverinë e re të Kosovës duke u angazhuar plotësisht për ta çuar këtë proces të rëndësishëm deri tek përmbyllja e suksesshme.
Top Channel