Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzohet shpesh se po ndjek hapat e ish-kryeministrit, Sali Berisha dhe nuk po sjell risi në parti.

Analistët Frrok Çupi dhe Enton Abilekaj, të ftuar në emisionin, “Top Talk” komentojnë fushatën elektorale të Partisë Demokratike, që drejtohet nga Lulzim Basha.

“Opozita, për fat të keq ka mbetur me të njëjta pamje, me të njëjtat slogane, të njëjtat mënyra. Ashtu siç themi ne kur shikojmë televizor, që ka ngrirë figura. Jemi akoma në vitet 1991, 1992”.

Sipas tij, shkak i kësaj, është dhe ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha. “Në arsyet pse ka mbetur këtu, kjo është një nga arsyet kryesore, se Partia Demokratike që udhëheq opozitën nuk ka vetëm një kryetar, ka një kryetar plus një kryetar. Ky kryetrari i ri, edhe sikur të kishte fantazi, edhe sikur të kishte risi, prapë se prapë, është peng dhe viktimë e kryetarit të vjetër. Ndërsa Berisha, nuk di gjë tjetër përveçse dy gishtave dhe të bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”.

Çupi thotë se opozita nuk po paraqet një plan konkret, si do të jetë qeveria, nëse vjen në pushtet. “Opozita luan rolin e të humburit. Është një e humbur që nuk shkon dot deri te pika fundore e fushatës, që të paraqesë qeverinë e re dhe të thotë këta janë njerëzit që do të përfaqësojnë politikën. Basha kuan rolin, sikur e ka dërguar dikush të bëjë një punë dhe në mbrëmje nuk është shumë e rëndësishme se sa punë ka bërë”.

Ndërsa analisti, Enton Abilekaj i sheh Bashën dhe Berisha, dy figura politike, shumë të ndryshme. “Unë nuk e shoh fare të ngjashme me Berishën. Mbështetësit e PD-së janë po ata, nuk e ndryshon dot Lulzim Basha. Ndërsa fushata që po bën Lulzim Basha është një fushatë jo negativiste. Berisha ka qenë de vazhdon të jetë dhe sot mjeshtër i fushatës negativiste. Kemi një kandidat që po paraqet programin e tij dhe nuk po bën fushatë negativiste. Për mendimin tim, duhet të fliste për bilancin e kësaj qeverie, sepse nuk po e bën, por mendimi i tij”.

Basha e ka nisur fushatën elektorale, duke takuar qytetarë, në qytete të ndryshme. I pyetur nga gazetari, nëse kjo është zgjedhje e duhur,  Abilekiaj përgjigjet: “Kjo është ajo që mund të bëjë Basha, ai nuk del dot në mitingje me karizmën e Berishës, as të Ramës e Metës. Është një politikan tjetër, që nuk është ai që personifikon politikën dhe qeverisjen, është një tip tjetër politikani. Ka më shumë edukim perëndimor. Është një politikan normal që ofron normalitet. Kemi të bëjmë me një politikan strikt, që ulet nëpër tryeza de ofron çështje konkrete”.

Top Channel