Nis nënshkrimi i kontratave për familjet që do të strehohen në lagjen e re KombinArt, Veliaj: Shtëpitë e rindërtimit do të jenë në pronësi të familjeve

28/03/2021 11:02

Në Bashkinë e Tiranës ka nisur sot nënshkrimi i 10 kontratave të porosive për familjet e para që do të marrin apartamentet e reja në lagjen e re në Kombinat.

Në prani të Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Shtetit për Rindërtim, Arben Ahmetaj dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj deklaroi se e gjithë kjo përpjekje po bëhet që familjet të marrin një shtëpi më cilësore dhe që ka më shumë vlerë në treg.

“Ku është investuar në infrastrukturë, është rritur vlera e pronës. Në Bulevardin “Zogu i Parë” vlera e pronës është rritur me 70-80%. Kjo do të thotë që në çdo investim të ri, bëhet fjalë për një vlerë prone që është shumë herë më e madhe se ajo që lamë pas në këto rrënoja të tërmetit”, sqaroi Veliaj.

Më tej Veliaj tha se në total janë dorëzuar 338 kontrata porosie familjeve që do të marrin apartamentet e reja në lagjen e re në Kombinat, duke shmangur gjithë legjendat urbane që fliten për rindërtimin.

“Njehrë e mirë kemi zgjidhur disa legjenda urbane që kanë ekzistuar për rindërtimin. Një legjendë urbane ishte që shtëpitë do jenë të shtetit. Shtëpitë janë të banorëve që i firmosin këto kontrata dhe do jenë në jetë të jetëve për t’i trashëguar brezave të familjarëve të tyre, ose për t’i shitur e rishitur në treg ashtu si çdo pronar tjetër. Legjenda tjetër ishte se në terrenet që lirohen, Bashkia apo qeveria do të bëjë kulla. Është e pavërtetë. Do të mbeten publike, do rehabilitohen si terrene sportive dhe lulishte”, tha Veliaj.

Ministri për Rindërtim, Arben Ahmetaj, nënvizoi se shtëpitë që po marrin qytetarët do i trashëgojnë brez pas brezi.

“Shtëpitë janë falas, qytetarët po të duan i shesin me dëshirën e tyre. Gjithë mundimi jonë shpërblehet, jo në aspektin politik, por ën aspektin shpirtëror Hallet nuk janë të vogla por bashkë i qajmë dhe bashkë i zgjidhim”, nënvizoi Ahmetaj.

Vijimi i procesit të nënshkrimit të kontratave individuale me familjet, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti, do të garantojë strehimin e të gjithë familjeve në lagjjen e re KombinArt. Lagjia e re krahas strehimit të familjeve të prekura nga tërmeti, do të jetë dhe një zonë dedikuar artit, dijes dhe kulturës dhe jo vetëm.

Top Channel