Në fshatrat malorë të Tepelenës dhe të Përmetit banorët janë përfshirë në punët e pranverës. Natyra e këtyre zonave të pasura të Jugut është aseti më i madh që bujtinat e vogla janë duke shfrytëzuar.
Ata po e përdorin situatën e pandemisë për të tërhequr vëmendjen sesa e bukur mund të jetë jeta e thjeshtë e fshatit për një fundjave. Në Peshtan të Tepelenës vizitorët nuk shkojnë për luksin por për produktet organike, natyrën dhe mikpritjen e bujtësve. Peshtani është mes atyre skajeve të Jugut që po preferohet nga familjet, çiftet por edhe udhëtarët e vetmuar.
Ne e kemi hapur bujtinën në 20 shtator. Megjithëse ka qenë pandemi kemi pasur klientë nga gjithë Shqipëria. Produktet janë shumë traditcionale që nga zona të ndryshme, që nga tava e dheut, turshitë që janë tonat.Jemi shumë optimistë edhe për këtë sezon.
Duke përshkuar luginën e Vjosës që është në lulëzim pandemia duket diçka e largët. Në Piskovë të Përmetit Majlinda e zonja e një tjetër bujtine ka gatuar shumë lloje likosh ndërsa aroma e erëzave dhe zaireve të dimrit mbush mjedisin e guzhinës. Megjithë vështirësitë e mëdha për të investuar e për tu rritur banorët e këtushëm besojnë se falë punës së tyre kanë për t’ja dalë edhe këtë sezon.
Ne jemi kthyer nga emigracioni për të punuar në vendin tonë. Klientët kanë pëlqyer mishin e malit të pjekur në furrë me dru dhe pulën me përshesh që e marrim nga fshatarët e zonës.
Në të gjithë zonën rurale të Tepelenës, Përmetit e Këlcyrës janë aktive të paktën 30 bujtina. Shumica e tyre nuk ka marrë kurrë asnjë subvencion apo mbështetje për tu zhvilluar por gjatë vitit 2020 ato u vizituan shumë më tepër se hotelet e qyteteve turistikë. Këto bërthamat modeste të turizmit në fshat mbijetuan falë vizitorëve shqiptarë që po rrisin vëmendjen ndaj skajeve më autentike të vendit.
Top Channel