Zonë me incidencë të lartë/ Franca hyn në ‘listën e zezë’ të Gjermanisë

27/03/2021 11:14

Për shkak të numrit të lartë të infektimeve, qeveria gjermane e ka klasifikuar Francën si zonë me incidencë të lartë.

Kjo vlen edhe për Republikën Çeke dhe Sllovakinë. Qytetarëve të të treja këtyre vendeve tani do tu kërkohen me detyrim teste për të hyrë në Gjermani. Deri në një njoftim të ri, kufiri mund të kalohet vetëm kur ke një test negativ për Covid-19, i bërë në 48 orët e fundit. Për Sllovakinë dhe Republikën Çeke, kjo do të thotë kalim në një grup më pak të rrezikshëm: më parë ato konsideroheshin zona të variantit të virusit, pra në nivelin më të lartë të rrezikut.

Gjithashtu është rishikuar klasifikimi përkatës i landit austriak të Tirolit; tani Tiroli është përcaktuar si zonë rreziku. Vetëm gjermanët dhe të huajt me leje qëndrimi dhe qëndrim në Gjermani u lejuan të hyjnë. Përjashtimet e vetme ishin për shoferët e kamionëve dhe punonjësit ndërkufitarë me profesione të rëndësishme për stabilitetin e sistemit.

Ndërkohë situata në Francë është përkeqësuar vazhdimisht gjatë këtyre javëve. Gjate 24 orëve të fundit, autoritetet raportuan atje 41.869 infektime të reja – të premten e kaluar kishte 35.088. gjendja në spitale në disa rajone është jashtëzakonisht e tensionuar. Numri i infektimeve të reja për 100.000 banorë brenda një jave është aktualisht më shumë se 300.

Klasifikimi si zonë me incidencë të lartë ndodh kur arrihet shifra 200 e incidences. Kancelarja Angela Merkel deklaroi se rastin e klasifikimit të Francës si një zonë me incidencë të lartë, nuk është fjala për “deklarata të vullnetit politik, por për vështrim të incidencave afatgjata”.

Top Channel