“Uji i pijshëm i Krujës, 24 orë! Gëzuar!” Ky është urimi i ngritur me një shishe ujë nga Ujësjellësi i ri i Krujës, që Kryeministri Rama iu drejtoi banorëve të zonës, të cilët me realizimin e këtij projekti jetik lanë pas një periudhë të vështirë të furnizimit me ujë, të trashëguar për 30 vite. Të shumë premtuar, por asnjëherë të realizuar.
Pas një pune të vështirë në 1630 metra lartësi në një terren sfidues, nga sot, plot 8 vendburime të reja uji do të furnizojnë rregullisht me ujë gjithë familjet e qytetit.
“Sapo kemi përfunduar investimin e ujësjellësit të Krujës për furnizimin me ujë të pijshëm. Ka koinciduar që para dy ditësh kemi marrë certifikimin e analizave nga laboratori. Uji është shumë cilësor dhe investimi është shumë i rëndësishëm për qytetin e Krujës. I premtuar prej shumë vitesh nga PD-ja, që do të furnizojë qytetin e Krujës, por këtë punë e bëmë ne. Madje, këto ditë në fushatë kam dëgjuar që do të bëjnë ujësjellësin për furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit të Krujës. Puna që është bërë është mjaft cilësore, pasi ka qenë në terren shumë të vështirë”, – shpjegon kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi.
Ndërtimi i ujësjellësit të ri të Krujës do të sigurojë për 17.500 banore, jo vetëm furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm, por njëkohësisht do të eliminoje humbjet dhe ndotjet e ujit në rrjet. Projekti parashikon gjithashtu edhe mbulimin me ujë të pijshëm të zonës së Sarisalltikut.
Ndërkohë Rama nuk i ka kursyer batutat me të pranishmit, teksa me anë të një shisheje të cilën e mbushi nga rubineti, piu ujë dhe u dha edhe të tjerëve.
Batutat
Punonjësi: Rubinetin hapi ti i pari….
Edi Rama: Keni gotë apo jo?
Punonjësi: Gotë? Pffff….
Edi Rama: Na bini një gotë apo shishe ta mbushim me ujë të pimë ujë. Hë more e gjetët një gotë apo një shishe bosh
Punonjësi: Ne kishim llogaritur vetëm me e hapur me e parë….
Njëri nga punonjësit sjell një shishe…
Edi Rama: Uji i pijshëm i Krujës 24 orë, gëzuar…
Pasi pi vetë, Edi Rama i kalon shishen Milva Ekonomit: Qenka edhe i ftohtë…
Edi Rama: Artur urdhëro shishen e parë, veri edhe tapën dhe çoja PD-së
Top Channel