Kandidati për deputet në listën e PD-së, Neritan Liçaj ka pasur përplasje të forta me gazetarin Bledi Mane në emisionin “Top Talk” nga gazetari Denis Dyrnjaja për preferencat politike.

Të dy akuzonin njeri tjetrin për faktin se mbështesin palë politike. Ishte Liçaj që akuzoi qeverinë dhe mazhorancën se i shkatërruan teatrin duke u kthyer në një sistem që revolton qytetarin, ndërsa Mane u shpreh se nëse do të fliste kaq keq kundër Berishës, do të përfundonte pa punë.

Mane: Duhet të ishe në polici se fole para turmës në kohë pandemie.

Liçaj: Ka një problem me Manen. Ka për borxh të më japë leksione aktrimi, është qesharake. Ai të thotë se ku duhet të ishe. Ai po përfshihet në politikë direkte, por të mos akuzojë të tjerët.

Mane: Gjithmonë fushatat elektorale në Shqipëri kanë qenë të mbarsura edhe politikisht, edhe emocionalisht dhe për këtë jemi përgjegjës. Ka mjaft energji negative që nis në mëngjes tek ushqimorja tek lagjia dhe përfundon në studio. Duhet të kërkojmë ngarkesën tek vetja sepse gjithkush nga ne është gjenerator që prodhon aq shumë energji pozitive dhe negative sa nuk di ta menaxhojë.

Dyrnjaja: A ka urrejtje personale në gjithë këtë debat? Edi Rama urren Bashën dhe anasjelltas?

Mane: Derivati i atyre të dyve zbret poshtë dhe në familje, lagje e vende pune dhe kjo është e metë kolektive dhe për këtë jemi të përgjegjshëm të majtë e të djathtë. Një politikë e mbarsur me urrejtje e ndasi nuk po gjen dot mënyrën për tu çliruar, për të çuar njerëzit tek qendrat e votimeve të lirë.

Liçaj: Gjuha ime është gjuha e një qytetari që është sulmuar politikisht nga qeveria dhe mazhoranca. Prishi dy teatro kombëtar, ky është sulm i pastër politik, nuk është sulm me llastiqe plumbçi si në kohë kur ishim fëmijë. Na u dërguan forca policie, nuk na u dha asnjëherë shansi që të luftonim nëpërmjet institucioneve ose gjykatave sic nderi e dinjiteti i atyre dy teatrove kombëtar e kërkonin sepse drejtësinë në fund ta japin organet që nuk ekzistonin më dhe u sulmuam forcërisht.

Dyrnjaja: Ti mendon se është personale?

Liçaj: Jo, unë kam qenë shumë i rezervuar me qëndrimet mua sepse mendo që ty të të bëjë sulm të pastër politik parlamenti e qeveria jote. Është një sistem i tërë që frustron qytetarin.

Mane: Kemi një aktor, një njeri që paguhet nga qeveria dhe imagjinoni para 8 vitesh të fliste kaq keq ndaj Berishës, do t’i viheshin prangat, do largohej nga puna e do merrej rruge.

Liçaj: Paguhem nga djersa e ballit.

Top Channel