Teste kush hyn në Gjermani/ Hyn në fuqi mesnatën e së dielës

26/03/2021 15:24

Ministria gjermane e Shëndetësisë njoftoi se personave që fluturojnë në Gjermani do t’u kërkohet t’i nënshtrohen testimit të koronavirusit që nga mesnata e së dielës, 28 mars.

Udhëtarëve do t’u kërkohet të bëjnë një test Covid para nisjes, pavarësisht nga niveli i rrezikut të koronavirusit në vendin e tyre të origjinës. Linjat ajrore do të pranojnë në bord vetëm pasagjerë me dëshmi negative të testit Covid.

Rreptësimi i rregullave fillimisht mendohej të miratohej të premten. Sidoqoftë, zyrtarët e shëndetësisë thanë, se ata do t’i shtyjnë për ditën e dielë për t’u dhënë udhëtarëve dhe linjave ajrore kohë të përgatiten. Udhëtarët do të duhet ta paguajnë vetë testin. Rregullat e mëparshme kërkonin teste vetëm nga udhëtarët që vinin nga zona me rrezik të lartë. Tani, udhëtarëve që vijnë nga destinacionet e njohura të pushimeve me numër të vogël rastesh, si Majorka do t’u duhet një test negativ.

Rregulli me kërkesën për testim ndaj Covid-19, pritet të zgjasë deri në mes të majit. Linjat ajrore kanë thënë, se do të kryejnë qindra fluturime shtesë për të përballuar rritjen e kërkesës. Numri i rasteve të infektimeve me Covid-19 për 100.000 banorë në shtatë ditë është aktualisht në Gjermani 113.

Top Channel