Rrëfehet Kamberi: E çmendur ajo që më ndodhi, pres me padurim debutimin me Shqipërinë

26/03/2021 00:32

Është pajisur me pasaportë shqiptare në vitin 2019, është grumbulluar nga Edy Reja në muajin nëntor të këtij viti për ndeshjet me Amdorrën dhe Francën, në kuadër të kualifikueseve të Europiant, por nuk mundi të debutonte me fanellën kuqezi për arsye dokumentacioni.

Është grumbulluar nga trajneri Italian edhe për përballjet e para të kualifikueseve të Botërorit “Katar 2022”, kundër Andorrës, Anglisë dhe San Marinos. 16 muaj pritje për të përjetuar emocionet debutimit me Kombëtaren. Në një prononcim për “Dailyrecord.co.uk”, sulmuesi që luan i huazuar tek Aberdeen në Skoci nga S.t Gallen (Zvicër), u shpreh:

“Hera e parë që u thirra nga Shqipëria ishte në nëntor 2019. Kisha një dëmtim dhe nuk isha në gjendje të luaja. Gjithashtu edhe dokumentacioni im nuk ishte i gatshëm me kohë. Vitin e kaluar, u bë shkak pamundësia për të fluturuar për shkak të pandemisë. Mora sërish ftesë, por nuk mund të shkoja, sepse isha infektuar me Koronavirus. Ka qenë e çmendur ajo që më ka ndodhur gjatë dy viteve të fundit. Kanë ndodhur shumë gjëra, por shumë prej tyre jashtë kontrollit tim. Ishte zhgënjyese dhe e vështirë, sepse dua të luaj për Shqipërinë. Jam i kënaqur që jam në formë, jam me skuadrën e Shqipërisë dhe jam gati të luaj.”

Pas sfidës me Amdorrën, Shqipëria pret Anglinë në “Air Albania”, sfidë në të cilën Kamberi dëshiron të jetë protagonist.

“Jam i përqendruar në tri ndeshjet e ardhshme. Është bukur që kemi disa ndeshje të mëdha, si ato me Anglinë, por para kësaj, shpresoj të bëj debutimin tim kundër Andorrës, për mua do të jetë ndeshje e veçantë.”

Ish-mbrojtësi i Rangers dhe ndihmësi aktual i Rejas, Sergio Porrini, ka qenë faktori kryesor që e bindi Kamberin të zgjidhte Shqipërinë.

“Jam gjithmonë në kontakt me trajnerin dhe Sergion. U takova me Sergion dhe bashkëshorten e tij në Skoci. Ata erdhën për të më vizituar kur isha te Hibs. Ai erdhi të më shihte kur humbëm 5-2 ndaj Celtic në “Hampden”, në gjysmëfinalen e Kupës së Ligës. E takova pas ndeshjes dhe të nesërmen shkuam për drekë. Ai dhe Shqipëria kanë treguar shumë besim tek unë dhe tani unë dua t’u shpërblej në fushën e blertë.”

Top Channel