“Regjistrohuni në census”/ Rama apel shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut: Nga kjo varet fuqia juaj kushtetuese atje, mos harroni gjakun shqiptar të nënës dhe babit

26/03/2021 11:08

Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje shqiptarëve të Maqdonisë së Veriut që të regjistrohen ‘online’ në censusin e popullsisë.

Rama shpjegoi se si kjo procedurë, që zgjat vetëm 5 minuta ‘online’ ka rëndësi jetike për shqiptarët atje , të drejtat e tyre dhe përfaqësimin në pushtet.

Fjala e Ramës: Motra dhe vëllezër shqiptarë nga Tetova, Shkupi dhe Maqedonia e Veriut!

Ju sot duhet të jeni krenarë për sa shumë keni arritur në përparimin e të drejtave tuaja në shtetin fqinj dhe mik.

E mira nuk ka fund dhe asnjëherë nuk është mjaft, por mjafton të kthejmë kokën pas, jo shumë larg në kohë, veç disa vite më parë, për të parë se çfarë hapash të mëdhenj dhe vendimtarë keni hedhur në afirmimin e dinjitetit dhe të integritetit të shqiptarit në atë Republikë, ku deri dje shqiptari trajtohej si kategori e dytë, edhe pse pa popullin shqiptar nuk ka shtet të Maqedonisë.

Historia që keni bërë të gjithë së bashku në këto pak vite, falë vizonit sa patriotik, aq edhe republikan të Ali Ahmetit dhe vullnetit pozitiv të liderëve politikë që i dhanë jetë të ashtuquajturës me cinizëm nga penguesit e gjuhës sonë, Platforma e Tiranës, është një faqe e ndritur e luftës së gjatë për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Politika e ditës ashtu si kudo, ashtu si gjithmonë ju ndan edhe ju në çështje dhe opinione të ndryshme, por ajo asesi nuk duhet kurrë më t’ju pengojë ta shihni identitetin tuaj, identitetin tonë shqiptar dhe afirmimin e tij në çdo dimension të jetës të shtetit ku ju jetoni si një kauzë mbi të gjitha kauzat, mbi të gjitha dasitë, ujditë dhe partitë.

Sot është një nga ato momente të jetës suaj si qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut ku askush prej jush, asnjë i vetëm, kudoqoftë me banim në këtë botë dhe çfarëdo qofshin punët dhe hallet që ka nuk duhet të mungojë në regjistrimin e ri të popullsisë së shtetit të Maqedonisë së Veriut.

Ky regjistrim bëhet pas shumë vitesh, sepse afati i mëparshëm u huq qëllimisht nga ata që nuk donin t’ju numëronin dhe që nuk lanë dy gurë bashkë për ta lënduar kauzën e dinjitetit dhe identitetit shqiptar në atë shtet.

Ju e dini më mirë se kushdo dhe kush prej jush nuk e di, duhet ta mësojë se nga numri i shqiptarëve të regjistruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut varet fuqia kushtetuese e popullit shqiptar të asaj Republike mbi pjesëmarrjen dhe vendimmarrjen në punët e atij shteti.

Nuk ju kërkohet të merrni pushkën, shyqyr Zotit dhe të dilni në mal. Nuk ju kërkohet as të merrni lopatën dhe të dilni në fushë.
Madje nuk ju kërkohet as të dilni hiç nga shtëpia, por veç të harxhoni 5 minuta. Asnjë minutë më shumë, ndoshta minuta më pak, për t’u ulur para kompjuterit apo për të klikuar në smartphofone-n tuaj adresën sensus.state.gov.mk. Në këtë adresë shkruani emrin tuaj, të babës dhe nënës tuaj, që ju lindën shqiptar e që jua dhanë gjakun e gjuhën, të cilën ky regjistrim e mbron njësoj siç mbron edhe vetë popullsinë shtetformuese shqiptare të Maqedonisë së Veriut.

Miq!

Ne shqiptarët kemi një defekt të madh; Nuk vlerësojmë peshën e madhe të një zinxhiri gjërash të vogla. Për pasojë, duke menduar vetëm për fitore të mëdha, ne i humbim shpesh ato betejat e vogla, që një komb i madh i fiton përditë si bukën që ha.
Kësisoj ka ndodhur jo rrallë, që ne pastaj jemi zgjuar me vonesë, duke i paguar kosto të mëdha humbjeve të vogla në të përditshmen tonë.
E pra, nëse ju do ta humbi këtë betejë kaq të vogël, vetëm 5 minuta, pa pushkë dhe as lopatë, ulur në shtëpi sot, nesër, kostoja e kësaj humbjeje për krejt popullsinë shqiptare në shtëpinë e shtetit maqedonas do të jetë shumë e madhe.

Kështu që përpara sesa të hani darkë sonte dhe t’ju zërë gjumi duke parë televizor, uluni dhe kryejeni betejën tuaj të vogël, duke u regjistruar me krenari si qytetarë shqiptarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Paçi çdo të mirë dhe shëndet në familjet tuaja!
Zoti i bekoftë shqiptarët!

Top Channel