Mianmar, rritet në 320 numri i viktimave në protestat kundër grusht shtetit

26/03/2021 10:15

Është rritur në 320 numri i personave që kanë humbur jetën në Mianmar si pasojë e ndërhyrjes së forcave të sigurisë ndaj atyre që protestojnë kundër grushtit ushtarak dhe arrestimit të anëtarëve të qeverisë së zgjedhur.

Sipas raportit ditor të përgatitur nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP) thuhet se në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 34 protestues tjerë, duke rritur në 320 numrin e viktimave, 264 prej të cilëve janë qëlluar nga forcat e sigurisë.

Sipas Anadolu Agency, në raport thuhet se nuk dihen shkaqet për vdekjen e 56 personave dhe se shumica e personave që kanë humbur jetën janë të rinj të grup-moshës 18-24 vjeç.

Stacioni i ushtrisë në rajonin Kachin kalon nën kontrollin e grupit etnik të armatosur

Ushtria për Pavarësi e Kachin (KIA) e cila vepron në rajonin Kachin të Mianmarit dhe e cila ka deklaruar se do të mbrojë protestuesit kundër administratës ushtarake, ka marrë nën kontroll një stacion të ushtrisë në rajon.

Zëdhënësi i KIA, Naw Bu, i cili ka folur për faqen “Myanmar Now” tha se pas konflikteve që filluan në orët e natës dhe të cilat zgjatën 11 orë kanë arritur të marrin kontrollin e bazës ushtarake dhe stacionit të ushtrisë e cila ndodhet në zonën Alaw Buam në kufi me Kinën.

Grushti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Turqia dënoi grushtin e shtetit, ndërkohë kritika dhe reagime të ndryshme erdhën edhe nga vende të ndryshme perëndimore.

Qytetarët e Mianmarit më 6 shkurt filluan protestat kundër grusht shtetit me kërkesën për kthimin në demokraci. Në ndërhyrjet e armatosura të forcave të sigurisë kanë humbur jetën të paktën 320 protestues.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA