Meta apel institucioneve për zjarrin te magazina: Kërkoni ndihmë te vendet partnere

26/03/2021 08:40

Presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje institucioneve që të veprojnë me shpejtësi për situatën e krijuar të një magazinë në një qendër tregtare në Tiranë, ku ende nuk dihet fati i një të riu. Meta u ka bërë thirrje të lënë aktivitetin politik dhe të bëjnë detyrën.

“Alarm për institucionet shtetërore. Prej pasdites së 24 marsit 2021, një tragjedi e vërtetë po ndodh vetëm 3 km larg nga qendra e Tiranës, në ambientet e një biznesi privat, të përfshirë nga flakët, që ende nuk janë shuar. Sipas të dhënave paraprake një qytetar, me detyrën Përgjegjës i Sigurisë, dyshohet edhe për një shtetas të dytë, kanë mbetur të bllokuar në magazinat e katit të nëndheshëm, ndërkohë që dëmi pasuror i biznesit llogaritet në shifra tepër të larta.

Duke shpresuar, që kjo ngjarje e rëndë të marrë fund me sa më pak pasoja, u bëj thirrje drejtuesve të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, strukturave të Mbrojtjes Civile dhe në veçanti Shërbimit Zjarrfikës të ndërpresin aktivitetet politike, të marrin përgjegjësitë e tyre sipas ligjit dhe të kryejnë me përgjegjshmëri të lartë detyrën e tyre. T’u kërkohet ndihmë vendeve partnere nëse ne nuk i kemi kapacitet për ta menaxhuar këtë situatë, por qëndrimi duarkryq është i papranueshëm dhe i dënueshëm.

U bëj thirrje të fortë institucioneve shtetërore të reagojnë sa më parë për t’i dhënë zgjidhje të menjëhershme kësaj situate tepër të rëndë dhe me pasoja tepër serioze”, ka shkruar Meta mbrëmë vonë në Facebook.

Kujtojmë se zjarri ka rënë pasditen e së mërkurës. Edhe pse flakët u vunë shpejt nën kontroll ende nuk është bërë e mundur futja brenda magazinës dhe gjetja e rojës së sigurisë Arjan Sala.

Top Channel