BE presion Astrazeneca-s: Të përmbushë premtimet, ne nuk jemi naivë

26/03/2021 12:10

Prodhuesi i vaksinave kundër koronavirusit, AstraZeneca duhet t’i përmbushë premtimet për furnizimin e Bashkimit Evropian, përpara se të dërgojë doza gjetkë, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Kompania duhet të respektojë kontratën që ka me vendet anëtare përpara se të angazhohet në eksportin e vaksinave”, u shpreh Ursula von der Leyen.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u tha gazetarëve se “ky është fundi i naivitetit të BE-së”. “Ne duhet t’i bllokojmë të gjitha eksportet për aq kohë sa disa kompani të barnave nuk i respektojnë zotimet e tyre ndaj evropianëve”.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se BE-ja “jo vetëm që furnizon veten, por eksporton edhe në botë, për dallim nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe”. Shpërndarja e vaksinave në shtetet e Bashkimit Evropian është duke u bërë ngadalë dhe blloku ka fajësuar kompanitë farmaceutike, kryesisht AstraZenecan, për mos dërgimin e dozave të premtuara. AstraZeneca ka mohuar se nuk po e respekton kontratën e saj.

Në BE, deri më tani janë dhënë rreth 62 milionë doza të vaksinave kundër koronavirusit. Vetëm 18.2 milionë njerëz, apo 4.1 për qind e popullsisë së BE-së prej 450 milionësh janë vaksinuar plotësisht me nga dy doza.

Pas samitit virtual, 27 vendet anëtare të BE-së ranë dakord që të përpiqen të rrisin prodhimin e vaksinave brenda bllokut. “Përshpejtimi i prodhimit dhe shpërndarjes së vaksinave mbetet thelbësor dhe urgjent, për të kapërcyer krizën. Përpjekjet për këtë qëllim duhet të intensifikohen më tej”, thanë ata në një deklaratë të përbashkët.

BE-ja gjithashtu u bëri thirrje prodhuesve të vaksinave që t’i parashikojnë prodhimet e tyre dhe “t’i respektojnë afatet kontraktuale të dorëzimit”.

Top Channel