Shkolla kërkon ndjesë/ Pezullohet mësuesi britanik që tregoi në klasë karikaturat e profetit Muhamed (fotot)

25/03/2021 16:13

Policia britanike zbarkoi sot në një shkollë pranë Leeds në veri të Anglisë ku dhjetra prindër të zemëruar muslimanë protestonin jashtë saj për një mësues që kishte shfaqur në klasë karikatura të profetit musliman Muhamed, gjatë orës së edukimit fetar.

Shkolla e gramatikës Batley Grammar School qëndroi e mbyllur dhe u tha nxënësve të qëndronin në shtëpi mes skenave kaotike në hyrje të saj, teksa drejtori Gary Kibble kërkoi ndjesë ‘sinqerisht’ për ofendimin ndaj komunitetit.

Prindërit ishin mbledhur para shkollës që prej orës 7.30 duke thërritur slogane ndërsa rreth 20 deri në 30 nxënës silleshin rreth hyrjes, një prej të cilëve dha edhe një fjalim të shkurtër.

Njerëzit qëndruan aty deri pasdite, teksa policia i kërkonte të shpërndaheshin duke i kërcënuar me gjoba për shkelje koronavirusi.

Muftiu vendas Mohammed Amin Pandor, u tha protestuesve se mësuesi në fjalë ishte pezulluar, çka u konfirmua më vonë dhe nga shkolla, në të cilën tre të katërtat e nxënësve janë nga grupe minoritare etnike.

Muslimanët përbëjnë 41 përqind të popullatës së Batley, një qytezë e vjetër tregtare në rajonin Kirkless, ku deputeti i vjetër laburist Jo Cox u vra nga një ekstremist i të djathtës ekstreme në 2016.

Protesta e sotme vjen pesë muaj pasi mesuesi francez i historisë Samuel Paty u vra me prerje koke në rrugë në Paris, pasi kishte treguar në klasë karikatura të profetit Muhamed.

Udhëzimet vendase arsimore nuk specifikojnë shfaqjen e karikaturave të profetit Muhamed në klasë, por thonë se ora e edukimit fetar duhet të zhvillohet sipas fesë ose besimeve të caktuara të shkollës.

FOTO GALERI
2/11
Shkolla e gramatikës Batley Grammar School qëndroi e mbyllur dhe u tha nxënësve të qëndronin në shtëpi

Top Channel