Covid-19/ Holandezët në radhë për t’u regjistruar në ‘pushimet eksperimentale’ falas në ishullin grek (fotot)

25/03/2021 19:13

Një agjenci holandeze udhëtimi po kërkon 200 njerëz për një provë pushimesh tetë-ditore në Greqi, për të parë sesi mund të kryhet turizmi gjatë kohës së pandemisë së Covid-19.

Të zgjedhurit do të kenë paketën e plotë ‘all-inclusive’ në ishullin grek të Rodos, me kosto rreth $500 për person, por ka disa kushte për të plotësuar.

Pushuesit nuk do të lejohen të largohen nga rezorti dhe do të kryejnë karantinën deri në 10 ditë pas kthimit.

Por disa orë pas njoftimit, 25,000 njerëz kishin nënshkruar si të gatshëm për të marrë pjesë në eksperiment.

Agjencia qeveritare holandeze e udhëtimeve ka thënë se të gjitha udhëtimet duhet të evitohen deri në mesin e majit, përveç rasteve kur konsiderohen ‘esenciale’.

Megjithse shumë njerëz janë gati të ndërrojnë izolimin me një javë në diellin e ishujve grekë, kritika janë ngritur për oferta të tilla në një kohë kur infeksionet raportohet në ngritje në Holandë.

Por organizatorët thonë se eksperimente të tilla mund të përcaktojnë nëse ka një mënyrë të sigurtë për të bërë pushime jashtë vendit gjatë pandemisë.

Ne nje tjeter zhvillim lokal, kësaj fundjave një festival muzikor tre-ditor është mbajtur pranë kryeqyteti Amsterdam.

Oferta e pushimeve bëhet nga agjencia Sunweb, e cila ofron 187 bileta për njerëz të moshave 18-70 vjeç, që do të zgjidhen “sipas kritereve të caktuara nga qeveria”.

Sunweb thotë se ka hartuar direktivat e sigurisë për të gjithë udhëtimin, i cili është aprovuar nga agjencia vendase e shëndetit publik.

Vizitorët do të zënë një hotel të vecantë në Rodos, duke qëndruar vetëm në restorantin dhe pishinën e hotelit, pa u lejuar të dalin në plazh./BBC/

FOTO GALERI
1/3
Një agjenci holandeze udhëtimi po kërkon 200 njerëz për një provë pushimesh tetë-ditore në ishullin grek të Rodos

Top Channel