BE shtrëngon eksportin e vaksinave/ Edhe vendet e Ballkanit do t’i nënshtrohen rregullave të reja

25/03/2021 01:49

Bashkimi Europian ka vendosur që edhe vendet e Ballkanit Perëndimor t’iu nënshtrohen parimeve të reja në lidhje me importin e vaksinave kundër COVID-19. Komisioni Europian prezantoi kriteret e reja që do të merren parasysh për autorizimin e eksporteve të vaksinave kundër COVID-19.

Në deklaratën e lëshuar prej tij thuhet se qëllimi i kësaj mase është t’u sigurojë qytetarëve të BE-së qasje me kohë në vaksina. Deri tani, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë qenë të përjashtuara nga mundësia e kufizimit të importit të vaksinave nga bllokut europian, por duket se një gjë tillë nuk vlen më.

Praktikisht, vendet e Ballkanit Perëndimor janë në listën e vendeve për autorizimin e eksportit të vaksinave, thotë KE, por ato duhet të përmbushin parimet e reciprocitetit të cilat janë vendosur nga BE-ja në mënyrë që të fitojnë të drejtën e importit të vaksinave. Bazuar në rregullat e reja, Brukseli vendos se kur i lejohet një vendi të importojë vaksina nga blloku.

Në listën e vendeve që do të vlejnë rregullat e reja, ndër të tjera, janë: Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, dhe Bosnje dhe Hercegovina. Në dokument nuk përmendet Kosova. Zv/presidenti i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis, sqaroi se nuk bëhet fjalë për një dallim të plotë të eksportit të vaksinave, por sipas tij, kjo është një përpjekje për të kontrolluar eksportin.

Mbetet e hapur mundësia që nëse një vend bën kërkesë për furnizimin me vaksina nga BE-ja, atëherë shtetet anëtare dhe Komisionit Evropian vlerësojnë nëse eksporti i kërkuar nuk paraqet kërcënim për sigurinë e furnizimit të vaksinave dhe përbërësve të tyre në BE.

Top Channel