18 muaj ferri/ Shpëtoi banesën nga zjarri, ia shkatërrojnë përmbytjet 

25/03/2021 22:13

Për Rob Costigan, këta kanë qenë 18 muaj ferri.

Fermeri australian humbi shtëpinë e tij të ëndrrave nga përmbytjet masive të kohëve të fundit, të cilat kanë rënë si një mallkim mbi vendin. “Nuk di çfarë të them. E di që duhet të vazhdoj të luftoj, por ndiej brenda vetes një dhimbje të pamatë”, shprehet ai.

Ajo që e bën edhe më brutale këtë humbje për familjen e Costigan, është fakti që vetëm një vit më parë ata luftuan duke rrezikuar dhe veten për ta shpëtuar nga flakët shtëpinë e ngritur me kursimet e një jete. Verën e 2020-tës, zjarre masive rrethuan pronën e fermerit, të ndodhur në një luginë pranë Wauchope, në veri të Sidneit.

Rob kaloi ditë të tëra duke luftuar me flakët për t’i mbajtur larg portës së shtëpisë së tij. Asokohe, rajoni përballej me thatësira të mëdha, më pas u shfaqën zjarret e tani është pllakosur nga vërshimi ujërave. “Nuk e di çfarë ta emri t’i vë të gjithë kësaj, paskemi qenë fare të pafat. Duket sikur po ndëshkohemi për diçka”, thotë i dëshpëruar fermeri.

Kryeministrja e New South Wales, Gladys Berejiklian shprehet se nuk mban mend që në historinë  e kësaj zone të ketë pasur kushte atmosferike kaq ekstreme të cilat ndërrojnë kaq shpejt. Me tre-kater fatkeqësi të tilla te duket sikur arrin në pikën që nuk përballon dot më, u shpreh ajo.

Top Channel