Shtytja e gabuar e Bloomberg për të luftuar cigaret elektronike në vendet në zhvillim

24/03/2021 17:17

Që nga nisja e pasojavetë pandemisë së COVID-19, ka pasur një fokus të ri në përmirësimin e shëndetit global dhe kjo ka qenë një shenjë e mirëpritur.

Në një opinion për “Brussels Times”, gazetari investigativ Yaël Ossowski vë në dukje rastin e organizatës Bloomberg Philantropies, që ndonëse fokusi i saj gjatë pandemisë ka financuar dhe promovuar iniciativa mbi ndryshimet klimaterike, shëndet publik dhe arsim, ka raste kur grupet që ajo financon, ndjekin politika që do të dëmtonin rezultatet shëndetësore të njerëzve të zakonshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për kontrollin e duhanit.
“Mbështetja nga ana e Bloomberg për kauza të tilla ka patur një qëllim të mirë, por grupet të cilat i kanë përdorur fondet e dhëna, kanë bërë gabimin vdekjeprurës të barazimit të cigares me djegie me alternativën e produkteve me avull. Kjo mund të sjellë dëme në shëndetin në të gjithë botën.

“Kur vjen fjala tek shëndeti publik, shumica e nismave të Bloomberg janë të mirë-orientuara.”, shprehet Ossowski, “Megjithatë, ka raste kur grupet që ai financon ndjekin politika të cilat mund të kenë ndikim jo- pozitiv tek shëndeti i njerëzve të zakonshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për kontrollin e duhanit. […] një pjesë e konsiderueshme e fondeve të Bloomberg kanë përfunduar në përpjekie globale për të hedhur poshtë produktet e reja me avull, të cilat në të vërtetë nuk përmbajnë duhan dhe janë provuar të jenë të dobishëm kur vjen fjala për të nxitur lënien e duhanit.”
Ka patur raporte të cilat tregojnë se ka patur rënie të numrit të duhanpirësve si pasojë e zëvendësimit të cigareve të zakonshme me produkte me avull, të cilat më gjerësisht njihen si “cigare elektronike”.

Sa më tepër është përhapur përdorimi i pajisjeve me avull në të gjithë globin, aq më tepër është ulur numri i duhanpirësve të rregullt, duke arritur në shifra të ulëta të adoleshentëve në vende të zhvilluara.Pavarësisht kësaj arritje, disa filantropi janë të dedikuara për t’i shkatërruar këto përpjekje.
Konflikti midis përdoruesve të këtyre pajisjeve avullimi që nuk përmbajnë duhan, kryesisht të fabrikuara nga kompani të vogla nga Azia dhe Evropa, dhe industrisë së duhanit, megjithatë, ka zhvendosur vëmendjen e këtyre përpjekjeve shëndetësore miliarda dollarëshe.

Në konkurrencë të drejtpërdrejtë me industrinë e plotfuqishme të duhanit, kompanitë e pavarura kanë krijuar pajisje alternative që janë të lira, më pak të dëmshme dhe sigurojnë potencialin real për të lënë duhanin. Shumica dërrmuese e pajisjeve, përdorin pajisje me rezervuarë të hapur dhe lëngje që nuk përmbajnë duhan, një pikë që shpesh është hedhur poshtë në debat.

Sipas gazetarit dhe nëndrejtorit të Consumers Choice Center, ky orientim i gabuar i nismave të financuara nga Bloomberg vjen si pasojë e konkurrencës që ka industria e duhanit me produktet me avull. Shumica prej këtyre të fundit nuk përmbajnë duhan, pasi funksionojnë përmes kapsulave me lëng i cili përmban vetëm nikotinë. Ossowski sjell në vëmendje edhe një hetim në Filipine, përmes të cilit u zbulua se organet rregullatore të shëndetit kishin marrë qindra mijëra dollarë nga një organizatë bamirësie e lidhur me Bloomberg para se të paraqisnin një projekt-ligj për t’i nxjerrë si të paligjshme produktet me avull. Ai emëron edhe një rast të ri në Meksikë.

“Në Meksikë, vetëm këtë javë, u zbulua se një avokat i stafit të Fushatës për Fëmijë pa Duhan, një nga grupet më të mëdha në botë të kontrollit të duhanit të financuar nga Bloomberg Philantropies, hartoi ligjin për të kufizuar në masë të madhe importin dhe shitjen e pajisjeve me avull.”, shkruan Yaël Ossowski.

Nga ana tjetër, në vende ku përdorimi i produkteve me avull është miratuar dhe rekomandohet, si Mbretëria e Bashkuar apo Zelanda e Re, vërehen ulje reale të numrit të duhanpirësve. Ossowski e mbyll me një keqardhje për faktin se mbeshtetja nga ana e Bloomberg për kauza të tilla ka patur një qëllim të mirë, por grupet të cilat i kanë përdorur fondet që ka dhënë ai “kanë bërë gabimin vdekjeprurës” e barazimit të cigares me djegie me alternativën e produkteve me avull. Kjo, sipas tij, mund të sjellë dëme në shëndetin në të gjithë botën.

Top Channel