Pas përmbytjeve katastrofike/ Australianët nën kërcënimin e ‘mortajës’ së merimangave

24/03/2021 14:55

Një mortajë nga merimangat më helmuese në botë mund të mbërthejë Sidnein pas shirave të rrëmbyeshëm dhe përmbytjeve, paralajmëroi parku australian i zvarranikëve, i cili nënvizoi se merimangat vdekjeprurëse do të kërkojnë strehim nëpër shtëpi ndërsa përpiqen ti shpëtojnë përmbytjeve.

Shirat e pandalshëm kanë bërë që territore të gjera të Nju South Wales të përmbyten, me pjesët suburbane në veriperëndim të Sidneit që mbeten ende nën ujë.

Banorët mirëpritën rrezet e diellit të mërkurën, pas ditësh të tëra reshje shiu, por u ballafaquan me paralajmërimin urgjent për tu përgatitur për një fluks merimangash vdekjerpurëse, që janë endemike në rajonin e Sidneit.

“Moti i ngrohtë që pritet dhe nivelet e larta të lagështisë, janë kushtet perfekte për një bum të merimangave në ditët në vijim”, thanë ekspertët. “Me përmbytjet e pabesueshme që ne kemi përjetuar në zonën e Sidneit, merimangat janë detyruar të dalin nga habitati i tyre dhe të kërkojnë strehim në vende më të thata”, shtuan ata.

“Fatkeqësisht, kjo bën që ato ti drejtohen zonave rezidenciale, shumë shpejt”. Imazhet e mijëra merimangave që i largohen përmbytjeve, janë bërë virale në mediat sociale, ditët e fundit, ku krijesat tmerruese me tetë këmbë, kapërcejnë rrethime dhe ndërtesa.

Merimangat e Sidneit janë jo pak të frikshme pasi dihet se ato janë shumë toksike dhe kanë një helm që vepron shpejt me 13 viktima të regjistruara nga pickimet e tyre. Sidoqoftë, askush nuk ka humbur më jetën që kur një program kundër helmit të tyre nisi të zbatohej në fillim të viteve 1980.

Top Channel