Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu mund ta ketë të vështirë të sigurojë vende të mjaftueshme për të qëndruar në pushtet, tregojnë rezultatet e zgjedhjeve të së martës.
Me afro 90 për qind të votave të numëruara, bllokut të tij të djathtë, i mungojnë tetë vende për të krijuar një qeveri.
Një parti rivale e krahut të djathtë, sipas rezultateve, mund të shtojë shtatë vende të tjera nëse do të mbështesë Netanyahun. Rezultati përfundimtar, veç të tjerash do të përcaktojë edhe kursin e marrëdhënieve të Izraelit me palestinezët. Netanyahu, lideri më jetëgjatë në Izrael, ka premtuar se do të formojë një qeveri të krahut të djathtë të udhëhequr nga partia e tij Likud.
Një parti e vogël e krahut të djathtë, Yamina, e udhëhequr nga ish besniku i Netanyahut, Naftali Bennet, mund të mbajë në duar balancën e pushtetit, por nuk ka deklaruar shprehimisht nëse do të mbështesë përpjekjet e Netanyahut për të krijuar një qeveri apo ato të partive të opozitës që duan ta rrëzojnë atë.
67.2 për qind e zgjedhësve morën pjesë në procesin që gjerësisht shihej si një referendum për lidershipin e Netanyahut. Kryeministri 71-vjeçar, ka qenë në pushtet që nga 2009, pasi më herët kishte shërbyer një tjetër mandat tre vjeçar në fund të viteve 1990. Fushata e tij u fokusua në programin masiv të vaksinimit në vend dhe suksesi diplomatik në normalizimin e marrëdhënieve me disa vende arabe.
Top Channel