Koreja e Veriut teston raketa/ Për Joe Biden nuk është provokim

24/03/2021 13:35

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se ai nuk e konsideron lancimin e një rakete me rreze të shkurtër veprimi, nga Koreja e Veriut, e para që kur ai mori detyrën, si një provokim. Biden shtoi se zyrtarët e sigurisë e kanë quajtur atë biznes normal.

Koreja e veriut thuhet se ka lëshuar raketa kruiz jo balistike, që nuk cënojnë rezolutat e këshillit të sigurimit të Kombeve të Bashkuara, gjatë fundjavës.

Incidenti ndodhi pasi Peniani kritikoi SHBA dhe Korenë e jugut për kryerjen e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake. Ai vjen po ashtu në një kohë kur administrata Biden po vazhdon të përpiqet të vendosë kontakte me Korenë e veriut.

Lancimi, i raportuar fillimisht nga mediat amerikane, është konfirmuar tashmë edhe nga zyrtarë amerikanë dhe nga ministria e mbrojtjes e Koresë së jugut. Kjo e fundit tha se dy raketa kruiz u lëshuan në detin e verdhë, mëngjesin e të dielës, nga Onchoni në Korenë e veriut. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, mbrëmjen e të martës, Biden tha: Ne kemi mësuar se asgjë nuk ka ndryshuar.

I pyetur nëse e konsideronte testin një provokim, Biden tha: Jo, sipas departamentit të mbrojtjes, është biznes normal. Nuk ka ndonjë zhvillim të ri në atë që ata kanë bërë”. Rezolutat e këshillit të sigurimit të OKB, që kanë sjellë sanksione strukte mbi Korenë e veriut, e kanë ndaluar Penianin vetëm të testojë armë kërcënuese si psh raketat balistike.

Top Channel