Ish-luftëtarët e UÇK-së në Hagë/ Mbrojtja ankohet për aksesin te dëshmitë

24/03/2021 14:59

 

Në konferencën e katërt statusore në dhomat e specializuara në Hagë, ku po gjykohen ish-krerët e ushtrisë çlirimtare të Kosovës, mbrojtja e tyre akuzoi prokurorin e specializuar se po ia vështirëson aksesin në dëshmitë e dëshmitarëve si edhe me qëllim po vonon dorëzimin e dosjes paraprake.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Mbrojtja e Thaçit dhe Krasniqit ka paraqitur kërkesa me shkrim që të kenë akses tek intervistat dhe dokumentet e tjera të dëshmitarëve. Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se bëhet fjalë për deklaratat e 19 dëshmitarëve. Prokuroria tha se janë duke punuar që të nxjerrin materialet, por theksoi se kërkesa e mbrojtjes ka të bëjë me deklaratat paraprake dhe jo për intervistat e dhëna pranë Prokurorisë.

Por, avokati i Thaçit, David Hooper u shpreh kritik ndaj sistemit të nxjerrjes së materialeve, duke e cilësuar atë si jo të dobishme, ndërkaq theksoi se atmosfera në mes të mbrojtjes dhe prokurorisë është “gjithnjë e jo më bashkëpunuese”. “Nxjerrja (e materialeve) të bëhet e vazhdueshme. Të na jepet komplet, shembull paketën e dëshmitarit A dhe çdo dokument që lidhet me të, që ta mund ta shqyrtojmë deklaratën e tij”, deklaroi Hooper.

Gjykatësi i procedurës paraprake. Nicolas Guillou tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar, në të ardhmen duhet të prioritizojë nxjerrjen e materialeve që kanë të bëjnë me dëshmitarët, dhe të cilat mund të jenë materiale shfajësuese. Giullou po ashtu tha se prokuroria duhet t’i nxjerrë intervistat e dëshmitarëve në të njëjtën dosjen e nxjerrjes së informacioneve.

Top Channel