Greqia përkujton revolucionin/ Kryeministri grek mesazh për Turqinë: Nuk frikësohemi 

24/03/2021 19:55

Me madhështi, me simbolika, por edhe me masa sigurie për shkak të pandemisë, Greqia përgatitet për të festuar të enjten dyqind vjetorin e Revolucionit që çoi në krijimin e shtetit modern grek.

Ndërsa kulmimi i festimeve, do jetë parada ushtarake në sheshin Sintagma, ato fillojnë me hapjen e Galerisë Kombëtare ku nëpërmjet më shumë se 20,000 pikturave, skulpturave dhe gravurave  paraqitet thesari i artit modern grek,per qytetaret si dhe per udhëheqësit e huaj që do ta vizitojnë atë.

Kryeministri Mitsotakis në një konferencë shtypi me presidentin qipriot mesditën e së mërkurës  ka cuar mesazh drejt Turqisë duke theksuar se Greqia as nuk frikëson dikë dhe as nuk ja ka frikën askujt, ndërsa Turqia duhet të ndjekë rrugën e së Drejtës Ndërkombëtare, sepse nëse zgjedh rrugën e delikuencës, kjo do të ketë pasoja për të.

Megjithëse shumë të ftuar kanë anuluar pjesëmarrjen për shkak të pandemisë, përfaqësues të Anglisë, Francës dhe Rusisë, tre vendeve që luajtën një rol vendimtar në luftën për Pavarësi të Greqisë marrin pjesë në ceremonitë e ndryshme. Simbolika e festimeve shkon përtej kufijve dhe nderohet nga grekët kudo që ndodhen, por edhe nga vendet që ndajnë të njëjtat vlera me helenizmin.

Luftëtarët grekë të vitit 1821 u frymëzuan nga idealet dhe veprimet e Revolucionit Amerikan, ashtu si revolucionarët Amerikanë dhe Etërit e Kombit tonë u frymëzuan nga shembulli i demokracisë Athinase -shkruan në mesazhin e tij ndaj homologes greke Sakelaropoulou, presidenti amerikan Joe Biden duke theksuar se Greqia është një aleate kryesore e NATO-s dhe një mike e ngushtë e ShBA-s që siguron stabilitet dhe kontribuon  në mënyrë aktive për paqen dhe prosperitetin në Mesdheun Lindor, Detin e Zi dhe Ballkanin Perëndimor.

Ne i kushtojmë një rëndësi të madhe marrëdhënieve me Greqinë, të cilat bazohen në traditat e lashta të miqësisë, si dhe në afërsinë kulturore dhe shpirtërore – shkruan në mesazhin e tij të urimit edhe presidenti rus Vladimir Putin, ndërsa merr pjesë në festime kryeministri i Rusisë Mikhail Mishustin.

Masat e sigurisë gjatë ditës se nesërme do të jenë tepër të rrepta me më shumë se 4000 policë me ndihmën edhe të helikopterëve. Ceremoni të tjera zhvillohen edhe në qytete të ndryshme të Greqisë me një rëndësi historike në luftën për pavarësi dhe çlirimin nga zgjedha turke.

Top Channel