As 10 infektime në javë/ Cili është çelësi i suksesit, që po largon Covid 19 nga Australia?!

24/03/2021 16:50

Javën e fundit në Australi raportohen vetëm 7 të prekur nga koronavirusi, ndërkohë që prej tre muajsh nuk ka asnjë humbje jete.

Me një popullsi mbi 26 milion banorë, Australia është në një periudhë mjaft të mirë për sa i përket Covid 19. Ndryshe nga Evropa, që vazhdon të përjetojë shifra të larta, përtej oqeanin, numri i të infektuarve me Covid 19, nuk i kalon 10 në javë.

Në një lidhje direkte, në emisionin “Shqipëria live”, flet për situatën inxhinieri kompjuterik shqiptar, i lindur dhe rritur në Australi, Sazar Jakupi. “Situata është e qëndrueshme, ka fare pak raste. Besoj që ndikimi më i madh ishin masat e rrepta, izolimit për një kohë të gjatë, ishin të mbyllur bizneset, restorantet, nuk lejoheshin njerëzit të dilnin pa maska. Nuk lejoheshin as vizitat në shtëpi. Kishte kontrolle të rrepta”.

Dhe mbi të gjitha, lëvizjet jashtë vendit kanë qenë të ndaluar, duke penguar që persona, që mund të jenë të infektuar të hyjnë në vend. “Për 12 muaj, kufiri ka qenë pothuajse komplet i mbyllur, është kontinent i largët, nuk ka pasur shumë shkëmbime me vende të tjera dhe kjo ndikuar shumë pozitivisht.

Po ashtu, bizneset kanë qenë të mbyllura. Në firmën ku punoj, ka rreth një vit që na është ndaluar të shkojmë në objekt. Tashmë, po mendohet rikthimi gradualisht”.

Jakupi thotë, se sipas planeve të qeverisë, parashikohet që 80% e popullatës të vaksinohet deri në shtator. “Kryesisht po përdoret AstraZeneca dhe Pfizer dhe po mendohet të merret Johnson&Johnson”.

 

Top Channel