Ligji dhe rregullat janë një për të gjithë, e në Norvegji, nuk bën përjashton as vetë kryetarja e qeverisë.
Policia norvegjeze njoftoi se ka nisur të marrë në pyetje kryeministren Erna Solberg, pasi kjo e fundit pranoi se ka shkelur masat kundër përhapjes së koronavirusit, gjatë një udhëtimi për ditëlindje.
“Kemi nisur një hetim dhe ai përfshin marrjen në pyetje të kryeministres”, pohoi inspektori i policisë, Per Morten Sending, për agjencinë e lajmeve Reuters. Procesi nuk ka përfunduar ende ndërsa hetimet priten të mbyllen këtë javë.
Në Norvegji, ndëshkimi për moszbatimin e distancimit social është gjoba. Mësohet se Solberg ka qenë me 13 persona të tjerë në një restorant në fund të shkurtit, ku ishin mbledhur me rastin e 60 vjetorit të saj të lindjes. Kjo në një kohë kur në vend ndalohet grumbullimi i më shumë se 10 personave në mesin e pandemisë.
Shefja e ekzekutivit ka kërkuar tashmë ndjesë publike për këtë veprim, edhe pse siç tha, beson se udhëtimi në restorant është bërë “në përputhje me udhëzimet për koronavirusin. Ajo shpjegoi se kanë qenë në një restorant ku kanë rezervuar tre tavolina të ndara dhe kanë mbajtur distancën, por për policinë fjalët e saj duket nuk ishin të mjaftueshme përderisa vendosi t’i verifikojë vetë.
Top Channel