SHBA sulmon AstraZeneca-n/ Të dhënat e saj, me informacione të vjetëruara

23/03/2021 22:27

Publikimi i të dhënave inkurajuese nga kompania AstraZeneca në lidhje me testimet e vaksinës së saj në Shtetet e Bashkuara rriti shpresat se kompania farmaceutike i tejkaloi problemet e mëparshme.

Por vetëm disa orë pas njoftimit tw saj, zyrtarët amerikanë lëshuan një deklaratë të pazakontë duke shprehur shqetësimin se kompania kishte përfshirë “të dhëna të vjetëruara” në studimin e vet dhe se ndoshta mund të kishte ofruar “një panoramë jo të plotë të të dhënave për efikasitetin e saj”.

Duke patur parasysh gabimet e mëparshme në raportimin e të dhënave dhe frikën nga njoftimet për mpiksjen e gjakut, ekspertët thonë se ky njoftim i fundit mund të shkaktojë dëme afatgjata për vaksinën AstraZeneca që është thelbësore në përpjekjet globale për të ndaluar pandeminë. Ata shprehen se  këto hapa të gabuara mund të shkatërrojnë besimin tek vaksinat.  Kompania AstraZeneca pohoi se rezultatet e publikuara një ditë më parë përfshinin të dhëna deri më 17 shkurt, por duket se ishin në përputhje me të dhëna më të reja.

Ajo premtoi rifreskimin e të dhënave brenda 48 orëve. Javët e fundit, përdorimi i vaksinës në fjalë është pezulluar edhe në disa vende të Evropës dhe më gjerë, për shkak të dyshimeve se ajo mund të shkaktojë mpiksje gjaku.Megjithatë, Agjencia Evropiane e Barnave ka thënë pas një rishikimi se vaksina është e sigurt dhe efektive.Vaksinës nuk i është dhënë ende drita jeshile në Shtetet e Bashkuara.

Top Channel