SHBA, kompanitë ajrore i kërkojnë qeverisë udhërrëfyes për të rihapur kufijtë këtë verë

23/03/2021 06:58

Të hënën kompanitë kryesore ajrore amerikane dhe ato të udhëtimit i kërkuan qeverisë të hartojë një plan për të rihapur këtë verë kufijtë ndërkombëtarë, duke e marrë të mirëqenë se vaksina kundër COVID-19 dhe numërimi i rasteve do të vazhdojnë të kenë prirje pozitive.

Në një letër dërguar koordinatorit për rimëkëmbjen ndaj COVID-19-s në Shtëpinë e Bardhë, Jeffrey Zients, më shumë se 20 kompani, mes tyre Shoqata tregtare që përfaqëson linjat kryesore ajrore të Amerikës së Veriut, Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Shoqata amerikane e Udhëtimeve thanë se, “Koha për të planifikuar dhe hartuar një udhërrëfyes për të rihapur udhëtimet ndërkombëtare, është tani”.

Shtetet e Bashkuara ndaluan shumicën e udhëtimeve nga Britania, Evropa, Brazili, Kina dhe Afrika e Jugut me përhapjen e koronavirusit vitin e kaluar, gjë që ka shkatërruar industrinë ajrore dhe të udhëtimeve në mbarë botën. Kompanitë amerikane bënë thirrje për një udhërrëfyes për të hequr në mënyrë të sigurtë kufizimet, i cili të finalizohet para 1 majit, në mënyrë që plani për udhëtimet ndërkombëtare të jetë në dispozicion këtë verë.

Udhëtimet brenda SHBA-së u rritën në mënyrë të konsiderueshme gjatë javës së kaluar ndërsa një numër gjithnjë e më i madh amerikanësh po vaksinohen. Por Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve vazhdojnë të rekomandojnë që amerikanët të kryejnë vetëm udhëtime të domosdoshme. Kompanitë ajrore thanë se rinisja e udhëtimeve ndërkombëtare duhet të jetë në krye të axhendës së takimit të ardhshëm të vendeve të grupit G-7 në qershor dhe bëri thirrje për negociata të shpejta bilaterale për të lehtësuar kufizimet në udhëtime mes vendeve.

Kompanitë thonë se udhërrëfyesi duhet të përmbajë kërkesën për testim përpara çdo udhëtimi ndërkombëtar, përjashtuar ata persona që janë vaksinuar, duke shtuar se qeveria nuk duhet të kërkojë bërjen e vaksinës si parakusht për të udhëtuar. Një rënie e mprehtë e udhëtime ndërkombëtare në vitin 2020 shkaktoi një humbje prej 146 miliardë dollarësh për ekonominë amerikane. Shoqata amerikane e Udhëtimeve vlerëson se deri në fund të këtij viti do të humbasë një total prej 1,1 milion vendesh pune në SHBA dhe 262 miliardë dollarë në shpenzime eksporti, nëse nuk rifillojnë udhëtimet ndërkombëtare dhe nuk rritet kërkesa për të udhëtuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA