Putin dorëzohet më në fund dhe bën vaksinën. Njoftimi në Twitter

23/03/2021 22:48

Vladimir Putin e bëri më në fund dhe ai vaksinën kundër koronavirusit.

Shefi i Kremlinit e mori privatisht dozën e vaksinës së prodhuar në Rusi, në përpjekje duket për të rritur besimin tek prodhimi rus, ndërkohë që e kishte zvarritur imunizimin e tij për muaj të tërë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov pohoi se presidenti 68 vjeçar ishte vaksinuar, pa e sqaruar sakaq se cila prej tre vaksinave të prodhuara në vend i është administruar kreut të shtetit. Peskov tha vetëm se Putin e mori vaksinën, ndihet mirë dhe të mërkurën del në punë. Kjo u përcoll edhe në profilin e Sputnik V në Twitter. Peskov shpjegoi edhe arsyen përse Putin nuk pranon të vaksinohet përpara kamerave.

“Nuk është fans i kësaj, nuk i pëlqen”, tha zëdhënësi, diçka që u komentua si paksa e çuditshme duke pasur parasysh se presidenti rus vazhdimisht tregon trupin përpara kamerave sidomos gjatë pushimeve të verës në Siberi, e madje edhe gjatë check up-eve mjekësore në të shkuarën. Deri tani, siç thekson The Guardian, vetëm 4.3% e rusëve kanë marrë të paktën një dozë nga njëra prej vaksinave vendase, ndër të cilat mbizotëron Sputnik V, shpërndarja e të cilës nisi në muajin dhjetor.

Top Channel