Akropoli antik dhe muzeumet e vendet e tjera arkeologjike në natyrë, janë rihapur në gjithë Greqinë, ndërsa vendi përgatitet të rifillojë sezonin e turizmit në mes të muajit maj.
Lehtësimi i disa masave vjen pavarësisht një rritje të vazhdueshme të infeksioneve të përditshme, ndërsa dyqanet e biznesit të vogël dhe shërbimet e tjera mbeten të mbyllura.
Gjatë valës së tretë të pandemisë Greqia po perjeton sidomos rritje të numrit të të intubuarve, që po kap shifrën prej gati 680 personash, më e larta prej fillimit të pandemisë. Gjithashtu dhjetëra persona humbin jetën çdo ditë, ndërsa sistemi spitalor punon përtej limiteve. Fotografitë e së dielës në mbrëmje me dhjetëra ambulanca që shkojnë e vijnë me pacientë nga spitali Evangjelismos, të cilat qarkulluan në mediat vendase, shoqërohen me tituj të tillë si “gjendje lufte në spitale” apo “spitalet si zona lufte”.
Mëngjesin e së hënës qeveria vendosi të mobilizojë 206 mjekë private për një muaj, me synimin për të ndihmuar spitalet shtetërore. Mbi 500 persona mesatarisht, gati gjysma e tyre në Athinë, shtrohen çdo ditë në spitalet e gjithë vendit, me simptomat e Covid-19.
Qeveria thotë se megjithë valën aktuale, ajo shpreson hapjen graduale të vendit për t’i dhënë një shtysë turizmit , boshtit kryesor të ekonomisë.
Ndërsa vazhdojnë vaksinimet, në ditët e ardhshme priten udhëzime se si do të funksionojë shpërndarja në farmacitë e vendit të testeve falas, të cilat do të mund të kryejnë qytetarët një herë në javë,si një masë efikase parandaluese për shperndarjen e virusit.
Top Channel