“BE s’ka nevojë për Sputnik”/ Putin i përgjigjet komisionarit evropian: Është luftë interesash

23/03/2021 01:57

BE-ja nuk ka nevojë për Sputnik V dhe imunitetin në kontinentin e vjetër mund ta arrijë përmes produkteve europiane, deklaroi komisioneri i tregut të brendshëm, Thierry Breton, i cili drejton task forcën e ekzekutuvit të Bashkimit Europian për vaksinën.

“Sot ne e kemi qartazi kapacitetin të shpërndajmë 300 deri në 350 milionë doza deri në fund të qershorit dhe nga mesi i korrikut mund të arrijmë imunizim në shkallë të gjerë të Europës, ishte komenti i tij. Kësaj deklarate, presidenti rus Vladimir Putin i është përgjigjur pa doreza. Nëse BE-ja i thotë jo Sputnik V, kjo do të ndodhë sepse mbron interesat e disa firmave dhe jo të njerëzve, tha shefi i Kremlinit. Putin, që vetë do të vaksinohet në 23 mars, e sulmoi ashpër Brukselin gjatë takimit me përfaqësues të industrisë farmaceutike ruse.

‘Një zyrtar i Bashkimit Europian deklaroi, dhe po e citoj, se “neve nuk na nevojitet Sputnik V. Kjo është një deklaratë e çuditshme, ne po nuk i imponojmë asgjë, askujt. Pyetja është interesat e kujt mbrojnë njerëz të tillë, ato të qytetarëve europianë apo të kompanive farmaceutike?’- tha Putin.

EMA ndërkohë vazhdon vlerësimin e vaksinës ruse mbi bazën e të dhënave që ka në dispozicion dhe inspektimin e fabrikave të prodhimit. Një grup ekspertësh pritet të mbërrijnë në Rusi në 10 prill, dhe në fund të muajit, siç pohoi përgjegjësi për vaksinat pranë agjensisë europiane të barnave, Marco Cavaleri, do të kenë një tablo mjaft më të plotë e të qartë mbi vaksinën ruse.

Top Channel