Lamtumira nga Liga e Kampionëve në fazën e 1/8-ave dhe dalja nga gara për titull 11 javë para fundit të kampionatit kanë “trazuar” jo pak klimën në kampin bardhezi të Juventusit, që dominonte në Itali prej 9 sezonesh.

Humbja e djeshme ndaj Beneventos, një skuadër që nuk fitonte që prej dy muajsh, ishte si “rrufe në qiell të hapur” për bardhezinjtë, që po provonin të linin pas zhgënjimin në Champions dhe të rivalizonin deri në fund në kampionat.

Drejtuesit e klubit konfirmuan Pirlon menjëherë pas ndeshjes, megjithatë e ardhmja e projektit të nisur me të është në dyshim, pasi bardhezinjtë jo vetëm që nuk janë në gjendje të pretendojnë për titullin kampion këtë sezon, por rrezikojnë të mos sigurojnë dot as një vend në zonën Champions në edicionin e ardhshëm. Para ndeshjes me Beneventon, Pirlo pati premtuar fitore për të vënë nën presion Interin kryesues, por humbja solli zhgënjim edhe te drejtuesit më të lartë të klubit, që tani nuk janë më të bindur në aftësitë e trajnerit për të udhëhequr skuadrën drejt suksesit.

Gjatë gjithë sezonit Juventusi ka nxjerrë në pah të gjithë limitet, teksa është shfaqur si një ekip pa një ide të qartë loje, pa identitet dhe pa karakter, ndërsa në shumë raste është shpëtuar vetëm nga golat e Ronaldos dhe një formë e mirë e Chiesës. Është e vërtetë që dëmtimet dhe koronavirusi kanë bërë që Pirlo të përballet me mungesa të shumta në mënyrë të vazhdueshme, por ky nuk mund të jetë kurrsesi një justifikim, pasi organika e bardhezinjve është e mbushur me elementë cilësorë.

Aktualisht drejtuesit po e kalojnë situatën në heshtje, duke i dhënë kohë Pirlos që të shfrytëzojë ndërprerjen e kampionatit për të korrigjuar defektet, pasi në prill i presin dy sfida vërtetë kyçe për të ardhmen, deri ndaj Torinos dhe ndeshja direkte me Napolin. Kupa e Italisë dhe një vend në zonën Champions janë objektivat e vetme që u kanë mbetur bardhezinjve për këtë sezon, megjithatë edhe arritja e të dy këtyre mund të mos mjaftojë për konfirmimin e Andrea Pirlos në pankinë.

Top Channel