Frymëmarrje te Interi, tamponët dalin negativë dhe futbollistët u bashkohen përfaqësueseve përkatëse

22/03/2021 23:58

Te Interi ka frymëmarrje, pasi të gjithë fubtollistët dhe stafi teknik kanë rezultuar negativë edhe në tamponët e kryer ditën e diel. Pas testeve pozitive të D’Ambrossios, Handanovic e së fundi Vecino e De Vrij, në kampin zikaltër ishte krijuar një situatë alarmante dhe për këtë arsye u shty edhe ndeshja e të shtunës me Sassuolon.

Megjithatë testet negative të së hënës bënë që zyra shëndetësore e Milanos të miratojë udhëtimin drejt vendeve të tyre, të futbollistëve që janë grumbulluar nga kombëtaret përkatëse dhe plot 7 lojtarë kanë lënë Italinë sot.

Bëhet fjalë për emra si Lukaku, Eriksen, Hakimi, Perisic, Brozovic, Skriniar e Radu, të cilët kanë udhëtuar drejt vendeve përkatëse me autorizim të zyrave shëndetësore, por nuk dihet ende nëse do t’u lejohet të luajnë.

Vijojnë të jenë në pritje të “dritës jeshile” për të udhëtuar në Coverciano edhe tre futbollistët italianë si Nicolo Barella, Alessandro Bastoni dhe Stefano Sensi, të cilët kanë marrë ftesën nga përfaqësuesja e drejtuar nga Roberto Mancini.

Top Channel