Festa e Sulltan Novruzit/ Meta: Dëbora është mbizotëruese por lulet kanë çelur

22/03/2021 14:35

Presidenti i vendit, Ilir Meta është prononcuar për mediat ditën e sotme nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane me rastin e festës së Sulltan Novruzit.

Ai tha se shqiptarët kanë kaluar një dimër të gjatë nën pushtetin e pandemisë por i pret një pranverë e gjatë përpara. Meta bëri apel për të gjithë qytetarët që të kenë kujdes e të ruhen për të parandaluar infektimin me COVID.

“Doja të uroja të gjithë shqiptarët në këtë ditë të pranverës,  të ripërtëritjes,  të shpresave dhe në këtë ditë të demokracisë. Mjafton të shikoni lulet e çelura janë të ngjyrave të ndryshme, edhe kështu është edhe demokracia sepse të tilla janë shpresat e qytetarëve për një jetë më të mirë, për të kaluar këtë dimër të gjatë në vështirësi të mëdha e në vuajtje të jashtëzakonshme të pandemisë. Apeloj për të bërë kujdes sa më shumë dhe të jemi më optimistë dhe solidarë me njëri tjetrin, më të dashur me njëri tjetrin e mbi të gjitha të mbizotërojë dashuria. Dëbora është mbizotëruese por lulet kanë çelur. Kështu që pranvera do të jetë e pandalshme dhe na ndihmon të gjithë të jemi më optimistë pavarësisht nga vështirësitë e momentit. Shqiptarët presin shumë nga e ardhmja.  Bëj apel për të forcuar masat për të rritur shëndetin, për sigurinë  trajtimit shëndetësor mbi kritere shkencore”, tha Meta.

Top Channel