CDC, shqetësime rreth një rritje të re të rasteve me koronavirus

22/03/2021 22:31

Drejtoresha e Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Rochelle Walensky tha të hënën se ajo është e shqetësuar se Shtetet e Bashkuara mund të shkojnë drejt një rritje të rasteve me koronavirus të cilat mund të shmangeshin.

Ajo përmendi me shqetësim se një numër më i madh shtetesh po zbusin masat që parandalojnë koronavirusin si dhe rritjen e numrit të njerëzve që po udhëtojnë jashtë shtetit të tyre.

Gjatë një konference virtuale të ekipit të Shtëpisë së Bardhë mbi COVID-19, Rochelle Walensky tha se në vend mesatarja brenda 7 ditësh e rasteve të reja ditore u rrit në 53,800 gjatë javës së kaluar, ndërsa mesatarja dy javore luhatej mes 50 në 60,000 raste në ditë.

Sipas drejtoreshës së CDC-së shtetet po shohin një numër në rritje të rasteve të reja për shkak të varianteve të ndryshme të virusit, veçanërisht në Kaliforni, shteti më i populluar i vendit, ku të prekurit nga një variant i ri i virusit, përbëjnë 52 për qind të infeksioneve të reja.

Zonja Walensky tha se këto statistika të marra së bashku mund të jenë një shenjë paralajmëruese për të gjithë amerikanët se pandemia nuk ka mbaruar.

Ajo shtoi se SHBA-ja ndodhet në një pikë kritike të pandemisë ndërsa shprehur shqetësimin se nëse vendi nuk ndërmerr veprimet e duhura, do të shkojë drejt një “rritje të numrit të infeksioneve, ashtu sikurse po shohim në Evropë.

Grupi i punës i Shtëpisë së Bardhë mbi koronavirusin njoftoi se deri tani në vend 81 milionë njerëz, ose gati 25 për qind e popullatës ka marrë të paktën një dozë të vaksinës dhe 41 milionë të tjerë, ose rreth 13 për qind, janë vaksinuar plotësisht. Zonja Walensky tha se mes personave mbi 65 vjeç, 69 për qind e tyre ka marrë të paktën një dozë të vaksinës, ndërsa 42 për qind janë vaksinuar plotësisht./VOA/

Top Channel