“Problematikët” në listat e PD/ Ja kush nga kandidatët ka vetëdeklaruar problemet me ligjin

20/03/2021 20:22

Të djathtët e politikës që synojnë një karrige në Parlament i kanë pranuar  në këtë formular,  si edhe të majtët problemet me të shkuarën e tyre.

Por, edhe ata nuk preken nga ligji i dekriminalizimit pasi asnjëra nga krimet për të cilat u dënuan apo u shoqëruan në polici, nuk përfshihen në veprat ndaluese për të marrë një funksion apo për tu zgjedhur. Veprat që kandidatet për deputete kanë kryer nisin nga shpërdorimi i detyrës, shpifja dhe dëbimi, për disa çështje të njohura e për të tjerë të panjohura nga publiku. Së paku deri më tani, më i pasinqerti në formularin e vetëdeklarimit rezulton kandidati demokrat Rezeart Tusha që e ka treguar pjesërisht të vërtetën.

Në formular kandidati demokrat pranon vetëm dëbimin nga Zvicra dhe jo arrestimin për çështje droge. Ky sekret pritet t’i kushtojë Tushës hapjen e llogarive me drejtësinë për falsifikim të formularëve. Kandidati i Shkodrës Zef Hila  e dorëzoi në KQZ formularin e  pastër, por e kaluara e tij nuk ishte e bardhë si në letër.  Fshehjen e dënimit ia ekspozoi  juristi i socialistëve.

Fortuna politike e shkaktuar nga dosja “Babalja” dhe që përfundoi si një sajesë e dëshmitarit X, duket se do ta përndjekë gjatë karrierës politike Ervin Salianjin, i cili ka pranuar dënimin në formularët e dekriminalizimit. Kadidati tjetër Xhelal Meziu , historia penale e të cilit nuk është vetëm në kujtesën e arkivave të medias , nuk e fshehu dënimin për shpërdorim detyre dhe masën me arrest me burg. Edi Paloka që kryeson listën e demokratëve në Durrës , pranon të shkuarën e tij si i dënuar për protestë të paligjshme dhe për shpifje.

I kthyer së fundmi në një protagonist për grindjen me grushte, Luciano Boci përshkruan në  formularin e dekriminalizimit dënimin për shpifje dhe arrestimin për protestat. Pyetjes a keni qenë ndonjëherë i dënuar i është  përgjigjur me ‘PO’ edhe ish-kryebashkiaku Agron Kapllanaj , i cili rezulton të ketë pasur probleme me drejtësinë italiane.

Futbollisti Gentjan Muça, i cili veshi fanellën e demokratëve , shkruan në fushën e formularit se si Gjermania e nxori nga loja dhe e dëboi për shkak të skadimit të vizës.  Në total rezulton se 17 kandidatë nga spektri i politikës  janë rrëfyer përpara dekriminalizimit duke pranuar  të shkuarën problematike.

Top Channel