Mjeku shqiptar Gani Zekaj i cili prej vitesh punon në Poloni ka rrëfyer për “Wake Up” eksperiencën e tij mbi Covid-19 si dhe ka argumentuar mbi mutacionet që qarkullojnë sot në botë.
Dr.Gani Zekaj në një lidhje skype ka treguar për masat më të efektshme si dhe ka ndarë mendimin e tij lidhur me vaksinën AstraZeneca.
Gani Zekaj: “Covid 19 u shfaq si një shok për njerëzimin për shkak të së panjohurës. Tashmë pas kapërcimit të së panjohurës përballemi me mutacione të ndryshme si virusi britanik i cili është dyfish më i rrezikshëm.”
I pyetur mbi agresivitetin e variantit britanik ai shprehet se tashmë ky mutacion ka provuar se është më i rrezikshëm në nivelin e përhapjes dhe infektimin e moshave të reja.
Gani Zekaj: “Së pari varianti britanik është lehtësisht i transmetueshëm, jashtëzakonisht më i ashpër ku si pasojë dhe mortalitet janë më të larta. Gjithashtu ka treguar se prek të gjitha grupmoshat, po ashtu dhe ato të reja.”
Doktori gjithashtu ndau eksperiencat e tij për masat më të efektshme të njohura deri tani.
Gani Zekaj: “Distanca , ruajtja e higjienës dhe maskat kirurgjikale të cilat duhen dyfishuar për një efektshmëri më të lartë. Duhen evituar maskat të cilat shiten jashtë farmacive, ku do të veçoja llojin e maskës Kn95 si ndër më efektivet.”
I pyetur mbi sigurinë e vaksinës AstraZeneca pohoi se tashmë kjo vaksinë është e certifikuar si e sigurt.
Gani Zekaj: “AstraZeneca është një ndër vaksinat më të sigurta , vetvetiu ekzaminimi ka treguar sigurinë e saj edhe në Poloni e cila është përdorur masivisht.”
Top Channel