Rusia thërret ambasadorin pas komenteve që Biden bëri për Putin

18/03/2021 02:59

Rusia ka thirrur në Moskë ambasadorin e saj në Washington, pas komenteve kritike të presidentit amerikan, Joe Biden, ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Rusisë, Maria Zakharova, njoftoi se ambasadori A.I. Antonov po kthehet në Moskë për konsultime, për të vlerësuar të ardhmen e marrëdhënieve midis Rusisë dhe SHBA-së.

Ajo shtoi se Rusia është e interesuar të parandalojë çdo “degradim të pakthyeshëm” të marrëdhënieve “nëse amerikanët janë të vetëdijshëm për rreziqet lidhur me këtë”. Në intervistë të transmetuar sot më herët, presidenti Biden e quajti presidentin Putin një “vrasës”, duke theksuar se homologu i tij rus do të “paguajë çmimin” për ndërhyrjet në çështjet e SHBA-së.

Komentet e presidentit të SHBA-së erdhën pas një raporti të inteligjencës amerikane që përkrah akuzat se Putin qëndron pas ndërhyrjes së Moskës në zgjedhjet e vitit 2020, një akuzë që tashmë është mohuar nga Rusia.

Top Channel